Më shumë kohë për vetting-un. A2 CNN pyet ndërkombëtarët, ONM dakord, EURALIUS-it s’iu kërkua mendim

Përditësuar më: 23/9/2021, ora 17:58

Më shumë kohë për vetting-un. A2 CNN pyet ndërkombëtarët, ONM dakord, EURALIUS-it s’iu kërkua mendim

Përditësuar më: 23/9/2021, ora 17:58

Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit, organi ndërkombëtar mbikqyrës i procesit të vetting-ut, është pro zgjatjes së mandatit të anëtarëve të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe të Komisionerëve Publikë.

I pyetur nga A2 CNN, lidhur me propozimet e Partisë Socialiste për ndryshime të Kushtetutës, me qëllim zgjatjen e mandatit të organeve të vetting-ut, ONM u përgjigj: “Në përputhje me mandatin e monitorimit që i është dhënë ONM -së nga Kushtetuta e Shqipërisë, ONM konsideron se është me rëndësi parësore që të gjitha rastet e verifikimit në pritje të përfundojnë në periudhën më të shkurtër të mundshme, duke ruajtur konsistencën dhe integritetin e procesit. Për të arritur këtë rezultat, është e nevojshme një zgjatje e kufizuar kohore e mandatit kushtetues të anëtarëve të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe të Institucionit të Komisionerëve Publik”. 

Sipas ONM, zgjatja e afatit do të lejonte komisionerët e Shkallës së Parë të vetting-ut dhe Komisionerët Publikë të përfundojnë të gjitha rastet për të cilat ka filluar hetimi: “Është në kompetencën e autoriteteve shqiptare të përcaktojnë afatet e sakta të një zgjatjeje të tillë, në konsultim të ngushtë me palët e interesuara përkatëse, përfshirë Komisionin e Venecias”. 

A2 CNN pyeti për të njëjtën çështje edhe EURALIUS, misionin ndihmës të BE për drejtësinë në vend. Në përgjigjen e tij, EURALIUS u shpreh se deri më tani nuk i ishte kërkuar ndihmë në lidhje me zgjatjen e mandatit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit. Kushtetuta e Shqipërisë parashikon një mandat 5-vjeçar për Komisionin e Pavarur të Kualifikimit, që përfundon në qershor të vitit tjetër.

Më tej, Kushtetuta ia kalon filtrimin e gjyqtarëve e prokurorëve në duart e KLGJ dhe KLP.

Për zgjatje afati nevojitet ndryshim i Kushtetutës, që lyp nevojëne votave edhe nga opozita në Parlament, pasi duhen 74 të tilla. Partia Socialiste ka ngritur një grup pune për këto ndryshime, ndërsa PD ende nuk është pozicionuar për këtë çështje.