Premier League, hiqen kompanitë e basteve nga fanellat

Përditësuar më: 23/9/2021, ora 19:51
premier league baste

Premier League, hiqen kompanitë e basteve nga fanellat

Përditësuar më: 23/9/2021, ora 19:51

Vendim historik në Premier League. Rishikimi i ligjeve për lojërat e fatit në Angli mund të shoqërohet me tronditje edhe në botën e futbollit. Autoritetet britanike po punojnë që të kufizojnë fenomenin e publicitetit që lidhet kryesisht me kompanitë e basteve, diçka që do të ndikojë në mënyrë të drejtpërdrejtë edhe klubet.

Sipas “Daily Mail”, vetëm një nga skuadrat që luajnë në këtë edicion në Premier League nuk bashkëpunon me kompanitë e lojërave të fatit, ndërsa nëntë ekipe i kanë si sponsorë kryesorë në fanella. Me synimin që popullata të shtyhet sa më pak drejt kumarit, publiciteti i kompanive të basteve do të kufizohet.

Ndryshimi i ligjit mund të bëjë që skuadrat e futbollit në Angli të mos lejohen t’i bëjnë reklama në uniforma kompanive që i sponsorizojnë.

Një vendim i tillë do të shoqërohej me pasoja ekonomike për të gjithë. Kufizimi i reklamave mund të bëjë që kompanitë e basteve të heqin sponsorizimet nga klubet, sepse ato paguajnë që emri i tyre të shfaqet në mënyrë të dukshme. Por, më tepër se te dëmi financiar, në Angli janë të shqetësuar që futbolli, i cili ndiqet shumë edhe nga të rinjtë, të mos i shtyjë këta të fundit drejt lojërave të fatit.