
Ndryshimi është çështje orësh, Xavi, kandidati i vetëm për të zëvendësuar Koeman
Barazimi me Cadiz komplikoi edhe më tepër pozitat e trajnerit Ronald Koeman. Katanalasit vijojnë të vuajnë startin e dobët të sezonit, teksa drejtuesi i stolit nuk e ka fshehur faktin se me këtë skuadër, tifozët nuk duhet të ëndërrojnë për lavdi.
Fjalët e holandezit shkaktuan pakënaqësi te lojtarët dhe presidenti Laporta, me këtë të fundit, që hoqi edhe veton për rikthimin e një prej idhujve të Camp Nou, Xavi Hernandez.
Ish-mesfushori është shndërruar në kandidatin e vetëm për stolin e Barçës. I rritur në La Masia, ai e njeh shumë mirë ambientin dhe për më tepër është fanatik i stilit karakteristik tiki-taka. Tifozët nuk e kanë harruar dhe do ta prisnin krahëhapur. Për këtë arsye, Laporta është bindur që ta emërojë sa më shpejt në krye të ekipit, edhe sepse Xavi pret një telefonatë.
Problemi i vetëm mbetet kontrata me Al Saad. Pasi rinovoi deri më 2023-in, Xavi nuk ka më klauzolën për prishjen e marrëveshjes, nëse Barcelona e kërkon. Megjithatë, përfaqësuesit e 41-vjeçarit janë të bindur se klubi nga Katari nuk do ta pengojnë që të realizojë ëndrrën.