Dosja “Gërdeci”, rihapet procesi për Mediun, avokati: Vendim anti-kushtetues

Përditësuar më: 24/9/2021, ora 17:33

Dosja “Gërdeci”, rihapet procesi për Mediun, avokati: Vendim anti-kushtetues

Përditësuar më: 24/9/2021, ora 17:33

Gjykata e Posaçme e Apelit vendosi të rihapë procesin gjyqësor ndaj ish-Ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu, lidhur me dosjen “Gërdeci”. Procedimi penal ndaj Mediut, deputet aktual në parlament, ishte pushuar në shtator të vitit 2009 nga Gjykata e Lartë.

Këtë të premte Apeli i Posaçëm pranoi ankimin e bërë nga SPAK dhe familjarët e Edison Durdës, 7-vjeçarit që ndërroi jetë nga shpërthimi i 15 marsit 2008, duke shfuqizuar vendimin e Gjykatës së Lartë për pushimin e çështjes ndaj Mediut dhe kthimin e akteve të dosjes në SPAK.

Verdikti i Apelit u konsiderua si absolutisht i pavlefshëm, si anti-kushtetues dhe në shkelje të Konventës Europiane për të Drejtate e Njeriut nga avokati mbrojtës i Mediut.

“Është hera e parë në jurisprudencë kur një gjyqtare e një gjykate të nivelit më të ulët prish vendimin e Gjykatës Lartë! Veç të tjerave, shkelja e ligjit është e dukshme, sepse e njëjta çështje (kërkesë) është shqyrtuar dhe hedhur poshtë nga Gjykata e Shkallës së Parë dhe Gjykata e Apelit, Tiranë në vitin 2019. Ky vendim hapur cenon parimin e sigurisë juridike, parimin e gjësë së gjykuar, parimin e ligjit favorizues dhe për më tepër synon procedimin për një akuzë afati parashkrues i së cilës ka kaluar me kohë”.

Gjyqi ndaj Mediut në Gjykatën e Lartë në vitin 2009, ku ai u dërgua si i pandehur për “shpërdorim të detyrës” u pushua pasi në të njëjtin vit ai u zgjodh deputet dhe ligji i kohës i jepte imunitet nga ndjekja penale. Por ndonëse nga viti 2012 e në vijim deputetët nuk gëzojnë imunitet, kërkesa e parë për shfuqizim të vendimit të pushimit në maj të vitit 2021. Në korrik të këtij viti Gjykata e Posaçme refuzoi pretendimet e SPAK për vijimin e gjyqit ndaj Mediut. Sipas Gjykatës së Posaçme, për më shumë se 10 vite prokuroria nuk kishte ushtruar ndjekjen penale ndaj ish-ministrit, ndonëse nuk kishte pasur asnjë pengesë ligjore.