Vaksinimi me detyrim, studentët e pavaksinuar pa test negativ, mësim online

WhatsApp Image 2021 09 24 at 12.17.36 PM 1100x620

Thirrjet për certifikatat e vaksinimit për mësuesit, pedagogët dhe studentët duket se po intensifikohen nga Ministria e Shëndetësisë, në prag të nisjes së vitit të ri shkollor.

Përmes një deklarate për shtyp nga qendra shëndetësore nr.4 në Tiranë, ministrja Manastirliu iu bëri apel arsimtarëve, studentëve dhe pedagogëve që të nxitojnë për të kryer vaksinën.

Sipas ministres, nga e hëna do të dalë udhëzimi për verifikimin e certifikatave të vaksinimit nga institucionet shkollore, ndërsa shtoi se studentët e pavaksinuar duhet të paraqesin test negativ çdo javë, në të kundërt do ta zhvillojnë mësimin sërish online.

“Duke filluar edhe nga dita e hënë, ne do të lëshojmë udhëzimin që do të ndiqet për të verifikuar ata që kanë kryer vaksinimin, duke filluar nga arsimtarët. Urdhri përmban të gjithë vendimet që ka marrë Komiteti Teknik i Ekspertëve, i cili përcakton që vetë institucionet shkollore, do të duhet që të kontrollojnë nëpërmjet mekanizmave që do të ngrenë, të gjithë certifikatat e vaksinimit për personelin që do të jetë në shkolla dhe gjithashtu duke filluar nga data 11 tetor edhe për studentët. Alternativa e mungesës së certifikatës së vaksinimit do të jetë testi i përjavshëm ose mësimi alternativ për studentët e pavaksinuar”, tha ministrja.