Bllokada në kufi, Kosova e vendosur për shtetësi!

Përditësuar më: 25/9/2021, ora 13:51

Bllokada në kufi, Kosova e vendosur për shtetësi!

Përditësuar më: 25/9/2021, ora 13:51

Në Mitrovicën e Veriut thuajse ka pllakosur heshtja… me zyrat e administratës lokale të mbylllura dhe bizneset e lokalet të boshatisura. Duket se jeta ka mbetur pezull atje, për t’u zhvendosur disa kilometra larg, pranë zonave kufitare me Serbinë.

Që prej 20 shtatorit, kur qeveria e Kosovës nisi zbatimin e reciprocitetit për targat, qytetarët serbë të Mitrovicës kanë braktisur vendet e punës dhe kafenetë, siç thuhet nën udhëzimin e zyrtarëve lokalë, për t’iu bashkuar protestave kundër vendimit. Me kamionë të tonazheve të rënda, pronë e komunës, automjete të tjera, zhavorr apo thjesht me praninë fizike, ata kanë bllokuar rrugët që çojnë drejt dy pikave kufitare që lidhin veriun e Kosovës me Serbinë, Jarinjë dhe Bërnjak.

“Mirësevini në Asosacionin e Komunave me shumicë serbe”, lexohej në disa tabela të vendosura nga protestuesit serbë, në rrugën drejt kufirit.

Bllokada në rrugën që çon drejt pikës së Jarinjës ishte e gjatë disa kilometra dhe për të mbërritur në pikën doganore duhej të ecje përgjatë disa kilometrave në këmbë. Frika ishte se kur të ktheheshe, radhë të reja kamionësh që mbërrinin vazhdimisht në zonë do të mund të bllokonin automjetin e parkuar diku, duke e bërë të pamundur kthimin mbrapsht.

Ndërsa temperaturat e ulta dhe shiu i kishte penguar disa të kalonin natën atje, të tjerë ishin më të guximshëm dhe sfidonin të ftohtin me grumbullime pranë zjarrit, pije, e këngë nacionaliste. Herë pas herë atyre u bashkoheshin zyrtarë të pushtetit lokal serb, kryetarë e nënkryetarë komunash dhe pjesëtarë të tjerë të Listës Serbe. Ndërsa situtata ishte dukshëm e qetë, tensionet ishin të perceptueshme në ajër e do të mjaftonte pak për të provokuar gjërat.

Zona ishte e mbushur me flamuj serbë dhe gjestet jo dashamirëse bënin të kuptoje se shqiptarët nuk ishin të mirëpritur. Përveçse të vendosur në rezistencë, serbët e pozicionuar atje ishin të unifikuar edhe në qëndrimin për të mos u prononcuar para kamerave, veçanërisht nëse ato ishin shqiptare.

Radhët e gjata të kamionëve sfidoheshin nga kolonat e autoblindave të forcave të Kosovës, prania e shtuar e policisë, njësive speciale dhe trupave të EULEX, që sinjalizonin se qetësia momentale ishte ndjesi e rreme dhe mund të merrte fund shumë shpejt. Në zonat e larta rreth kufirit dalloheshin me vështirësi persona që mbikqyrnin zhvillimet nga atje.

Policia e Kosovës na tha jashtë kamerave se aty kishte pjesëtarë të radhëve të tyre, por nga burime jozyrtare mësuam se në lokacione të caktuara kishte edhe pjesëtarë të xhandarmërisë serbe.

Sa më shumë i afroheshe pikës kufitare, aq më shumë rrallohej prania e protestuesve dhe forcave policore dhe e vetmja lëvizje ishte ajo e qytetarëvë serbë, që kalonin në këmbë kufirin. Autobusë që mbërrinin nga qyteza kufitare e Rashkës në Serbi, transportonin vazhdimisht banorë serbë që punonin në zonat veriore të Kosovës. Mes atyre që përshkonin në këmbë disa kilometra kishte edhe qytetarë që vinin atje për t’iu bashkuar protestave. Në doganën e Jarinjës, situata dukej plotësisht e qetë. E ndërsa kishim lënë pas krahëve protestuesit, zyrtarë të pushtetit lokal serb, radhët e kamionëve dhe Policinë e Kosovës, bëhej pak më e lehtë t’i shkëpusje një deklaratë qytetarëve që ecnin në këmbë drejt Kosovës.

Gjatë qëndrimit tonë në Jarinjë, nga ana serbe e kufirit shiheshin pak radhë automjetesh e kamionësh. Me rrugën e bllokuar, por edhe udhëzimet për të refuzuar vendimin e zëvendësimit të targave serbe përveç autobusëve, të pakta janë automjetet që i drejtohen kufirit. Sipas autoriteteve të Kosovës, deri në 22 shtator vetëm 24 tabela të përkohshme ishin lëshuar në kufijtë veriorë, ndërsa burime jozyrtare na thanë se qytetarë serbë që fillimisht kanë pranuar të zëvendësojnë targën, janë udhëzuar nga strukturat serbe të rishikojne vendimin e të rikthejnë sërish targat serbe.

Por, pak më thellë përtej kufirit, në qytezat e Rashkës dhe Novi Pazarit, situtata ndryshonte. Mediat lokale raportonin për shtim të pranisë së ushtrisë serbe që siç thanë zyrtarë të Beogradit ishte në gatishmëri të lartë. U fol gjithashtu edhe për disa të arrestuar nga ana e Policisë së Kosovës, diçka e pakonfirmuar nga autoritetet në Prishtinë. Mes shkëndijave që ndizen herë pas herë, e në kufij, e paralajmërimeve për kundërpërgjigjje nga ana e Serbisë, frika për shpërthim të tensioneve, bëhet gjithë e më reale.

Por, bindja e Prishtinës në drejtësinë dhe legjitimitetin e masës së ndërmarrë, bëjnë që autoritetet të jenë thujase të sigurta se nuk do të ketë tensione. Ministri i Brendshëm, Xhelal Svelça, në një prej intervistave të vetme të dhënë për mediat, përjashtoi mundësinë e një përshkallëzimi dhe akuzoi strukturat serbe për organizim të protestave. Të vësh në dyshim vendimin për targat, sipas tij, do të thotë të vesh në dyshim shtetësinë dhe sovranitetin e Kosovës.

Në një moment kur dialogu me Serbinë është në pikën më të ulët në shumë kohë, me takimet e fundit që kanë dështuar të prodhojnë rezultat, ka nga ata që druhen se masa do të minojë edhe më shumë procesin për normalizim të marrdhënieve. Por, zëri më i fortë është ai që e sheh vendimin, si një mënyrë për të legjitimuar pozitat e Kosovës si shtet sovran, për të forcuar pozitat në dialog dhe për të vendosur një standard të ri, sa i përket nënshkrimit dhe zbatimit të marrëveshjeve mes dy vendeve.

Sipas analistit, Dritëro Arifi, masa i përcjell gjithashtu mesazh edhe Brukselit. Zbatimi i reciprocitetit ndaj Serbisë, në fusha të ndryshme ka qenë një premtim i kryeministrit Kurti gjatë fushtatës zgjedhore. Kjo ka bërë që vendimi për targat të perceptohet si i pari i të tjerëve që mund të pasojnë në vazhdim. Por, sipas analistëve, kjo nuk do t’i shërbente as Kosovës e as rajonit në përgjithësi.

Kosova thotë se nuk ka më kthim prapa për targat, e po ashtu në rrugën drejt konsolidimit të pozitave të saj është një çështje që shkon përtej targave, tarifave 5 euroshe, apo reciprocitetit është një kauzë që në mendjet dhe zemrat e një populli të sprovuar rëndë nga lufta për lirinë, sanksionon dhe legjitimon në sy të botës, qenësinë si një shtet i barabartë dhe i pavarur!