Debati për mandatin e vetingut, KLGJ për A2 CNN: S’kemi kapacitet për procesin

Përditësuar më: 21/10/2021, ora 16:56

Debati për mandatin e vetingut, KLGJ për A2 CNN: S’kemi kapacitet për procesin

Përditësuar më: 21/10/2021, ora 16:56

Kalimi i procesit të vetingut të gjyqtarëve në duart e Këshillit të Lartë Gjyqësor, nëse mandati i anëtarëve të KPK nuk zgjatet përtej 5 viteve të parashikuara në Kushtetutë, mund të zvarrisë edhe më shumë më shumë procesin. Kjo për faktin se KLGJ do të ketë nevojë për burime njerëzore shtesë për të përballuar shqyrtimin e çështjeve të gjyqtarëve në një kohë të arsyeshme. Nevoja për ndihmë në një situatë të tillë shprehet nga vetë KLGJ në një komunikim për A2CNN.

“Në lidhje me kapacitetet e KLGJ për të vijuar procesin e vetingut dhe për të shqyrtuar çështjet në një kohë të arsyeshme, ju sqarojmë se përveç burimeve njerëzore aktuale, Këshilli i Lartë Gjyqësor do të ketë nevojë për mbështetje shtesë, në mënyrë që të garantohet standardi i procesit të rregullt ligjor për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve”.

 I pyetur nga A2 CNN lidhur me propozimet te Partisë Socialiste për zgjatje të mandatit të organeve të vetingut KLGJ nuk komenton deklarimet publike të forcave politike. Ndërsa për një qëndrim të institucionit për këtë çështje, KLGJ u shpreh se nuk mund të shprehet për sa kohë nuk ka një projekt-akt ligjor të përcjellë nga Ministri i Drejtësisë.  Pak ditë më parë, Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit, organi ndërkombëtar mbikëqyrës i procesit të vetingut tha për A2CNN se ishte pro zgjatjes së mandatit të organeve të vetingut.

Sipas ONM, zgjatja e afatit do të lejonte komisionerët e Shkallës së Parë të vetingut dhe Komisionerët Publikë të përfundojnë të gjitha rastet për të cilat ka filluar hetimi. Mandati 5-vjeçar i organeve të vetingut, sipas Kushtetutës, përfundon në qershor të vitit 2022, ndërkohë që deri më tani në veting kanë kaluar më pak se 60% e gjyqtarëve e prokurorëve.

Për zgjatjen e afatit nevojitet ndryshim i Kushtetutës, që në vetvete kërkon edhe votat e opozitës në Parlament, pasi prekja e ligjit themeltar të shtetit kërkon të paktën 94 vota.