Incidenti në Zubin Potok, Kurti: I qëllimshëm, i nxitur nga Serbia për të provokuar një konflikt serioz

Incidenti në Zubin Potok, Kurti: I qëllimshëm, i nxitur nga Serbia për të provokuar një konflikt serioz
Kryeministri kosovar Albin Kurti ka reaguar përmes një postimi në Facebook për ngjarjen në Zubin Potok, ku raportohet se është djegur ndërtesa e Qendrës së Regjistrimit të Automjeteve, ku dyshohet se janë përfshirë elementë serbë që nuk dakordësojnë me vendimin e reciprocitetit të targave që i detyron ato të marrin targa të përkohshme të Kosovës gjatë qëndrimit aty.
Sipas Kurtit, “hetimet preliminare tregojnë që djegia e ndërtesës së Qendrës së Regjistrimit të Automjeteve në Zubin Potok nuk ishte aksidentale por e qëllimshme”. Kryeministri zbulon edhe se një ngjarje e përafërt ka ndodhur edhe në Zveçan, ku sipas tij “kanë hedhur dy bomba dore, po ashtu në ndërtesën e qendrës për regjistrimin e automjeteve, por ato fatmirësisht nuk kanë eksploduar”.
Për kreun e qeverisë kosovare “Individë ose grupe të cilave sundimi i ligjit dhe rendi e siguria publike ua rrezikon aktivitetin kriminal po e sulmojnë shtetin tonë dhe po e cenojnë paqen. Qartazi ata po i nxit e mbështet Serbia, përkatësisht regjimi autokrat atje. Fatkeqësisht, para syve të bashkësisë ndërkombëtare, Serbia po përdorë qytetarë të Kosovës për të provokuar konflikt serioz ndërkombëtar”.
Kurti i bëri apel shtetasve të Kosovës, “pavarësisht a janë serbë, shqiptarë, boshnjakë apo romë, që ta ruajnë qetësinë dhe të bashkëpunojnë me institucionet”.