Kurti thërret mbledhjen e Këshillit të Sigurisë: Serbia nuk është e interesuar për fqinjësi të mirë

Përditësuar më: 25/9/2021, ora 16:52

Kurti thërret mbledhjen e Këshillit të Sigurisë: Serbia nuk është e interesuar për fqinjësi të mirë

Përditësuar më: 25/9/2021, ora 16:52

Kryeministri Albin Kurti ka thërritur mbledhjen e Këshillit të Sigurisë së Kosovës që do të zhvillohet mbrëmjen e kësaj të shtune, për shkak të situatës së krijuar në pikat kufitare me Serbinë, ku prej disa ditësh tashmë ka nisur vendosja e targave të përkohshme për automjetet me targa të Serbisë.

Në një konferencë për mediat, Kurti tha se Serbia po bën propagandë me rreshtimin e trupave ushtarake pranë kufirit, ndërsa theksoi se përgjegjës për këtë është Aleksandar Vuçiç.

“Mos harroni që, në ditën e gjashtë të zbatimit të reciprocitetit me targa të përkohshme e që unë do të dëshiroja të hiqen plotësisht targat e përkohshme, deri tani 9000 automjete i kanë marrë targat. Por presidenti i Serbisë nuk po e pëlqen këtë gjë nga kolltuku i tij politik. Nga jeta praktike, asnjëri nuk ka pasur problem dhe nuk ka pasur asnjë incident në asnjë pikë kufitare”, tha Kurti.

I pyetur për veprimet që do të ndërmerren për sigurimin e kufirit, Kurti tha: “Sigurisht që janë parë helikopterët dhe avionët e prodhimit rus. Ne nuk kemi pritur sjellje korrekte sepse e dimë kush është në pushtet atje, por vendimet i marrim në bazë të vlerësimeve të gjendjes së sigurisë. Tani për tani jemi në këtë gjendje. “Nuk është e interesuar Serbia për fqinjësi të mirë. Kjo që po ndodh vërteton atë që ne e kemi thënë prej vitesh, jo vetëm kur kemi qenë në qeveri”.

I pyetur për fyerjet e ministrit të Brendshëm serb, Vulin, i cili e etiketoi “budalla” Kurtin, kryeministri tha: “Mjafton të thuhet që ka qenë zëdhënës i partisë së gruas së Millosheviçit dhe i përkiste atyre zyrtarëve serb që konsideronin se Millosheviçi nuk është mjaftueshëm radikal. Kjo e shpjegon plotësisht se për çfarë bëhet fjalë”.