Osmani: Serbia dhe regjimi hegjemonist i Vuçiçit, burimi kryesor i destabilizimit në rajon

Përditësuar më: 25/9/2021, ora 17:28
vjosa osmani 1024x576

Osmani: Serbia dhe regjimi hegjemonist i Vuçiçit, burimi kryesor i destabilizimit në rajon

Përditësuar më: 25/9/2021, ora 17:28

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, me anë të një postimi në Facebook ka reaguar për djegien e Qendrës së Regjistrimit në Zubin Potok nga serbët, të cilët nuk pranojnë reciprocitetin për targat.

Sipas Osmanit, “sulmet e fundit ndaj institucioneve publike në veri të vendit nga strukturat kriminale dhe ilegale të mbështetura nga Serbia janë dëshmia kryesore për atë që po e themi që moti: Serbia dhe regjimi hegjemonist i Vuqiqit janë burimi kryesor i destabilizimit në rajon, i cili po synon zhbërjen e arritjeve të aleatëve tanë amerikanë dhe evropian në Kosovë e rajon”.

Osmani shtoi se “bashkësia ndërkombëtare nuk duhet ta injorojë atë që shihet qartë – tendencën ruso-serbe që nëpërmjet destabilizimit të rajonit tonë, ta dëmtojë edhe vetë Bashkimin Evropian dhe NATO-në, si bashkim e sistem vlerash”.

“Në Kosovë, Mal të Zi dhe Bosnje dhe Hercegovinë po përdoret i njëjti model destabilizues, të cilin Rusia përdor në shtetet baltike, Ukrainë, Moldavi dhe Gjeorgji. Ndaj, është koha që bashkësia ndërkombëtare, e para se gjithash shtetet anëtare të BE-së dhe NATO-s, ta shohin këtë rrezik e ta ndalojnë regjimin e Vuçiçit në realizimin e synimit të tij për krijimin e “botës serbe”, që i përket logjikës së viteve të 90-ta në Serbi. Ftoj qytetarët e Republikës së Kosovës, në veçanti serbët e Kosovës që të jenë të bashkuar në refuzimin e skenarëve ogurzi të Serbisë. Institucionet e Kosovës do të vazhdojnë të jenë pranë tyre duke ofruar mbështetje dhe siguri nga strukturat kriminale dhe ilegale të Serbisë”, lexohet në postimin e Osmanit.