Remitancat, rritja e dërgesave të emigrantëve këtë vit, ndihmë për ekonominë

Përditësuar më: 25/9/2021, ora 14:29

Remitancat, rritja e dërgesave të emigrantëve këtë vit, ndihmë për ekonominë

Përditësuar më: 25/9/2021, ora 14:29

Rritja e dërgesave të emigrantëve në këtë fillim viti shihet si diçka pozitive nga ana e ekspertëve, për shkak të peshës së madhe që ato zënë në ekonomi. Sipas Bankës Botërore, vitin e kaluar remitancat përbën 9.9% të GDP-së shqiptare, një shifër e lartë, por në rënie të vazhdueshme vitet e fundit. Gjithashtu ndjeshëm më poshtë se vende si Kosova ku ato zënë dyfishin e peshës në ekonomi.

Por për të shfrytëzuar maksimalisht këtë ndihmë të madhe në ekonomi, sipas ekspertes Brunilda Isaj, ato duhen kanalizuar në investime dhe të mos shkojnë vetëm për konsum.

 “Sigurisht që është zhvillim pozitiv sepse i jep forcë aftësisë paguesve të familjeve jo vetëm për nevojat  e tyre, por edhe si kapital për investime ose biznese të vogla, që gjenerojnë të ardhura të qëndrueshme”, thotë Isaj.  

Një problem për dërgesat e emigrantëve, sipas Bankës së Shqipërisë, është edhe kostoja e lartë e dërgimit të tyre përmes kanaleve zyrtare si bankat apo institucionet e transfertave monetare.

 “Masat e kohëve të fundit tregojnë për një tendencë rënëse, veçanërisht nga rritja e nivelit të  digjitalizimit, dhe mënyra dërgimi më të thjeshta”, vijon ekspertja.  

Dërgesat e emigrantëve ndihmojnë çdo vit rreth 26% të familjeve shqiptare dhe janë një burim i rëndësishëm të ardhurash veçanërisht në qarqet më të varfra të vendit.