Vlorë, plagos me armë një 20-vjeçare dhe hedh një granatë në lokal, arrestohet 30-vjeçari nga Shkodra

Përditësuar më: 25/9/2021, ora 13:24
Vlore i riu plagos me arme zjarri nje vajze arrestohet 1024x576

Vlorë, plagos me armë një 20-vjeçare dhe hedh një granatë në lokal, arrestohet 30-vjeçari nga Shkodra

Përditësuar më: 25/9/2021, ora 13:24

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur paraditen e kësaj të shtune në Vlorë, ku një djalë plagosi me armë zjarri një vajzë. Policia bëri të mundur arrestimin e autorit të ngjarjes, ndërsa vajza u dërgua në spital, ku po merr mjekim dhe është jashtë rrezikut për jetën.

Ngjarja ndodhi rreth orës 12:05, në vendin e quajtur “Bar Cacai”, lagjja “28 Nëntori”. Policia e identifikoi autorin si Fadil Nikaj, një 30-vjeçar nga Shkodra. Ndërsa vajza e plagosur është një 20-vjeçare me inicialet K.Z., e lindur në Berat, që ndiqte studimet në Vlorë.

Një dëshmitare i tha A2 CNN se vajza dhe djali kishin lënë takim në lokal. Në momentin që ajo është futur në ambientet e lokalit, djali është çuar nga tavolina dhe e ka qëlluar. Ky version u konfirmua më pas edhe nga policia. Sipas dëshmitares, një kameriere në lokal, autori hodhi edhe një granatë por që fatmirësisht nuk shpërtheu.

Policia tha më vonë se përveç armës së krimit, autorit iu sekuestruan edhe dy granata dore, njëra në ambientet e lokalit dhe një tjetër që iu gjet gjatë kontrollit fizik të ushtruar në çantën e tij.

Drejtori i Policisë së Vlorës, Bletar Çeliku tha se autori është dërguar në komisariat, ku do të merret në pyetje për të zbuluar shkaqet e ngjarjes, që fatmirësisht përfundoi pa viktima, por që është një tjetër njollë në rastet e dhunës ndaj vajzave dhe grave në vendin tonë.