Situata në veri të Kosovës, reagon SHBA: Po punojmë për uljen e tensioneve

Përditësuar më: 26/9/2021, ora 21:30
situata ne veri te kosoves serbi kufiri reciprociteti targat

Situata në veri të Kosovës, reagon SHBA: Po punojmë për uljen e tensioneve

Përditësuar më: 26/9/2021, ora 21:30

“SHBA-ja po punon me Bashkimin Europian, NATO-n dhe qeveritë e Kosovës dhe Serbisë për të ndërmarrë hapa të menjëhershëm në qetësimin e situatës dhe për të shmangur veprimet që rrisin tensionet, që vënë në rrezik përparimin e arritur në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja dhe ndikojnë negativisht në jetën e përditshme të qytetarëve”.

Ky është reagimi i zëdhënësit të Departamentit Amerikan të Shtetit, Ned Price, për Radion Evropa e Lirë, në lidhje me tensionin e krijuar mes Kosovës dhe Serbisë.

“SHBA-ja vazhdon të mbështesë bashkëpunimin e ngushtë rajonal për të eliminuar të gjitha barrierat e lëvizjes së lirë, të tregtisë dhe investimeve që janë në dobi të të gjithë qytetarëve të Ballkanit Perëndimor”, tha zëdhënësi i DASH. Ndërkohë, mësohet se në takimet e ftuara nga Brukseli, që do të mbahen gjatë javës së ardhme, do të marrë pjesë edhe Zëvendësndimës sekretari amerikan i Shtetit për Çështje të Evropës dhe Euroazisë, Gabriel Escobar.

Tensionet mes Kosovës dhe Serbisë janë rritur ndjeshëm që prej vendosjes së masës së reciprocitetit për targat. Pikat kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak qëndrojnë të mbyllura.

Mbrëmjen e së shtunës, kryeministri Albin Kurti mblodhi Këshillin e Sigurisë Kombëtare, pas përshkallëzimit të situatës në veri. Siç bëri të ditur qeveria e Kosovës përmes një deklaratë, Këshilli diskutoi për koordinimin e mëtejshëm të veprimeve strategjike në shërbim të paqes dhe sigurisë, kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë në vend.

Pas incidenteve në Zubin Potok dhe Zvecan, ku ju vu zjarri një qendre të regjistrimit të automjeteve u sulmua një tjetër për regjistrim civil, 2 avionë serbë u panë pranë kufirit të Jarinjës gjatë së dielës.