Champions League, PSG sfidon City me Messi, Milan e Inter për fitore

Përditësuar më: 27/9/2021, ora 16:52
CHAMPIONS PRAG PSG CITY frame 1447 1024x576

Champions League, PSG sfidon City me Messi, Milan e Inter për fitore

Përditësuar më: 27/9/2021, ora 16:52

Xhiro e dytë e Champions League rezervon finalen e parakohshme të këtij edicioni, atë ndërmjet Paris Saint Germain dhe Manchester City. Dy skuadrat më të forta në kontinent, do të sfidohen në “Parc des Princes”, në duelin e Grupit A.

Francezët kërkojnë hakmarrjen për eliminimin në gjysmëfinalet e sezonit të kaluar. Arma më tepër e parizienëve është Lionel Messi. Ylli argjentinas është stërvitur normalisht me ekipin dhe synon të gjejë golin e parë me ekipin pikërisht si kundërshtar i mentorit të tij, Pep Guardiola.

Në fushën e lojës zbresin edhe Milani e Interi. Pas humbjeve në debutim, dy skuadrat italiane kërkojnë të mos humbasin terren nga rivalët. Kuqezinjtë e Piolit sfidojnë në shtëpi Atletico Madrid në Grupin B. Pa Ibrahimovic, sulmi i Milan do t’i besohet Giroud, teksa ka vetëm një dilemë, nëse nga minuta e parë do të luajë Rebiç apo Leao, me këtë të fundit që duket në avantazh.

Në Grupin D, Interi luan me Shakhtar Donetsk, për të siguruar pikët e para dhe për të larguar makthin e sezonit të kaluar. Skuadra e Inzaghit ka detyrimin të regjistrojë rezultat pozitiv në Ukrainë dhe është favorite përballë të besuarve të De Zerbi.