Shtatori rrit shpenzimet, sa iu kushton familjeve shqiptare dita e parë e shkollës?

Përditësuar më: 27/9/2021, ora 09:47

Shtatori rrit shpenzimet, sa iu kushton familjeve shqiptare dita e parë e shkollës?

Përditësuar më: 27/9/2021, ora 09:47

Nisja e vitit të ri shkollor, bashkë me emocionet e rikthimit të nxënësve në banka, rëndon mbi buxhetin e një familje shqiptare.

Edhe pse librat për të gjithë nxënësit nga klasa e parë në të nëntën, si dhe ata të kategorive në nevojë në shkollat e mesme janë falas, shpenzimet nisin me prindërit që drejtohen në kancelari për të blerë mjetet e nevojshme shkollore për fëmijët e tyre.

Lapsat, fletoret, bojërat, letrat me ngjyrë, vizoret, dosjet dhe blloqet janë vetëm disa nga mjetet dhe materialet e domosdoshme për t’u blerë. Mesatarisht, kostoja e këtyre produkteve shkon në 4000 lekë për çdo fëmijë.

Këtyre shpenzimeve iu shtohen edhe çantat, çmimet e të cilave variojnë nga 1500 deri në 8500 lekë të reja. Të pashmangshme janë edhe kostot për blerjen e veshjeve dhe të këpucëve të reja.

Ndërsa një tjetër shpenzim ekstra vjen nga koronavirusi pasi prindërit duhet të bëjnë edhe një ndalesë në farmaci, ku marrin kryesisht maska dhe dezinfektues, në vlerën mesatare të 1000 lekëve.

Edhe pse shifra ndryshon nga buxheti personal i secilës familje, në bazë të çmimeve të tregut dhe atyre që deklarojnë prindërit, për të çuar një fëmijë në shkollë shpenzohen mesatarisht 17 000 lekë.

Kjo kosto rritet tek ato familje, të cilat kanë 2 apo më shumë fëmijë në shkollë dhe mbetet e papërballueshme për një pjesë të madhe të shqiptarëve, duke iu referuar raportit të fundit të INSTAT që thotë se 27% e familjeve me fëmijë në varësi, jetojnë në kufijtë e varfërisë.