Zgjedhjet në Gjermani: SPD fiton me 25.7%, Scholz pretendon kancelarinë, negociatat për qeverinë deri në Krishtlindje

Përditësuar më: 27/9/2021, ora 09:37

Zgjedhjet në Gjermani: SPD fiton me 25.7%, Scholz pretendon kancelarinë, negociatat për qeverinë deri në Krishtlindje

Përditësuar më: 27/9/2021, ora 09:37

Partia Social Demokratike SPD fitoi zgjedhjet parlamentare në Gjermani, duke shënuar fundin e epokës Merkel, me 25.7% të votave. Sipas një raporti zyrtar paraprak, të shpallur nga Komisioni Federal Zgjedhor, kampi konservator CDU-CSU mori 24.1% të votave, rezultati më i keq në historinë e tij. Ndërsa të Gjelbrit arritën rezultatin më të mirë në historinë e partisë së tyre, duke dalë në vendin e tretë me 14.8% të votave.

Për të formuar qeverinë e re në Gjermani duhet të krijohet një koalicion dhe nëse duhet shumë kohë, siç tregojnë rezultatet, Angela Merkel mund të thyejë rekordin e mbajtur aktualisht nga Helmut Kohl dhe të bëhet udhëheqësja më e gjatë në pushtet në vend. Ajo pritet të qëndrojë në qeveri, deri më 17 dhjetor.

Social Demokratët janë ringritur pas goditjes së vitit 2017 dhe Konservatorët janë në rënie, por të dyja kampet po pretendojnë kancelarinë. Në të gjitha këto, të Gjelbrit dhe liberalët e FDP, partitë e treta dhe të katërta, respektivisht, bëhen gjilpëra e vërtetë e peshores për të kuptuar se si do të duket qeveria e ardhshme. Orientimet e këtyre partive do të vendosin për fatin e ekzekutivit të ardhshëm. “Tani fillon pokeri i pushtetit”, titullohet Der Spiegel. Formimi i ekzekutivit të ri mund të zgjasë javë.

Olaf Scholz, kandidati i SPD, ministri aktual i financave dhe zëvendës i Angela Merkel në qeverinë e Koalicionit Grosse, foli nga Willy Brandt Haus menjëherë pasi u publikuan rezultatet fillestare. “Qytetarët duan që të ketë një ndryshim në qeveri dhe ata duan që kancelari të quhet Olaf Scholz”, tha ai, duke shprehur entuziazmin për “suksesin e madh” pas rënies së zgjedhjeve të mëparshme federale.

Më herët, konservatori Armin Laschet kishte folur nga selia e CDU në Berlin, Konrad Adenauer Haus, ku kishte mbërritur edhe kancelarja: “Rezultati përfundimtar nuk është i sigurt. Ne do të bëjmë gjithçka për të krijuar një qeveri nën udhëheqjen e Unionit”, tha ai, duke pranuar, se nuk janë të kënaqur me rezultatin.