Ekzekutimi i oficerit të krimeve, reagon Meta: Hetim dhe ndëshkim i ashpër ligjor

Përditësuar më: 28/9/2021, ora 13:32
Ilir Meta 1024x576

Ekzekutimi i oficerit të krimeve, reagon Meta: Hetim dhe ndëshkim i ashpër ligjor

Përditësuar më: 28/9/2021, ora 13:32

Presidenti Ilir Meta ka reaguar në lidhje me vrasjen në detyrë të oficerit të krimeve në Lezhë. Kreu i shtetit shprehet i tronditur për këtë ngjarje dhe u kërkon organeve ligjzbatuese hetimin dhe ndëshkimin më të ashpër ligjor të autorëve.

“Thellësisht i tronditur nga ngjarja tepër e rëndë e vrasjes, në krye të detyrës, të zyrtarit të lartë të Policisë së Shtetit, Saimir Hoxha, gjatë një operacioni kundër kultivimit të lëndëve narkotike në zonën e Lezhës. Në këto momente të vështira, bashkëndaj dhembjen dhe ju shpreh ngushëllimet më të thella familjes, kolegëve dhe të gjithë punonjësve të Policisë së Shtetit!

Nxis organet ligjzbatuese, në veçanti Prokurorinë për hetimin e rrethanave dhe intensifikimin e përpjekjeve për kapjen sa më parë të autorëve të këtij akti kriminal, për t’i nxjerrë ata para drejtësisë dhe dhënien e një ndëshkimi të ashpër ligjor”.

Meta thekson se lufta kundër krimit të organizuar dhe trafikut të drogës ka dëmtuar imazhin e vendit dhe ka marrë shumë jetë njerëzish.

“Lufta kundër krimit të organizuar, trafikut të drogës dhe kanabizimit të Shqipërisë, që ka dëmtuar seriozisht vitet e fundit imazhin e vendit dhe ka marrë aq shumë jetë njerëzish, duhet të jetë një prioritet absolut dhe të mbështetet nga të gjithë!”.