Mes tensioneve në kufi, Kosova dhe Serbia takohen të mërkurën në Bruksel

Përditësuar më: 28/9/2021, ora 12:31

Mes tensioneve në kufi, Kosova dhe Serbia takohen të mërkurën në Bruksel

Përditësuar më: 28/9/2021, ora 12:31

Ekipet negociatore të Kosovës dhe Serbisë do takohen të mërkurën në Bruksel, në atë që konsiderohet si hapi i parë drejt zbutjes së tensioneve në veriun e Kosovës. Sipas zyrtarëve të Bashkimit Europian, në takim do të marrin pjesë shefat e grupeve negociatore të të dyja vendeve, Besnik Bislmi dhe Petar Petkovic, ndërsa ambasada amerikane në Prishtinë konfirmoi gjithashtu praninë e zëvendës-ndihmëssekretarit të Shtetit për Europën Jugore dhe Qendrore, Gabriel Escobar.

“Ne jemi të kënaqur që Serbia dhe Kosova do të dërgojnë përfaqësues në Bruksel këtë javë për diskutime dhe inkurajojmë të dyja palët që të riangazhohen hapur, seriozisht dhe menjëherë në proces”, tha zëdhënësi Ambasadës së SHBA-së në Kosovë.

Prej më shumë se 8 ditësh, qytetarë serbë që protestojnë kundër vendimit të qeverisë së Kosovës për targat, mbajnë të bllokuar pikat kufitare me Serbinë, në Jarinjë dhe Bbërnjak. Komandanti i misionit paqeruajtës të KFOR-it në Kosovë, gjeneral major Franco Federici, tha se KFOR ka ndërmarrë hapa të mëtejshëm në terren, duke rritur patrullimet përgjatë rrugëve të prekura nga bllokadat dhe duke vendosur njësitë e tij në vendkalimet kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak. Siç u tha, masat e ndërmarra në veri të Kosovës kanë për qëllim “uljen e shpejtë të tensioneve”, “garantimin e mjedisit të sigurt” dhe të “lirisë së lëvizjes për të gjitha komunitetet”.

Sinjale të zbutjes së tensioneve erdhën edhe nga Beorgradi, me presidentin Vucic që tha pas një takimi me ambasadorët e shteteve të “Quint”-it, se është i përkushtuar në ruajtjen e paqes dhe respektimit të marrëveshjes së Brukselit. Megjithatë, theksoi ai, nuk do të lejojnë poshtërimin e Serbisë.