Von Der Leyen në Tiranë, eurokomisionerja flet për konferencë ndërqeveritare brenda vitit

Përditësuar më: 28/9/2021, ora 18:08

Von Der Leyen në Tiranë, eurokomisionerja flet për konferencë ndërqeveritare brenda vitit

Përditësuar më: 28/9/2021, ora 18:08

Turin e saj në Ballkan, Ursula Von Der Lyen e nisi nga Qereka e Fushë-Krujës, ku ishte e pranishme për të inspektuar shkollën e rindërtuar me fondet e BE.

Në konferencën e përbashkët me kryeministrin Rama, Von Der Lyen dha sinjale pozitive për mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare.

“Ne kemi punuar fort për çeljen e kësaj konference të parë qeveritare dhe ritheksoj se ju i keni bërë detyrat tuaja. Ne do të bëjmë gjithçka që të kërcejmë ato vështirësi e pengesa. Shpresoj që ne të fillojmë me konferencën e parë ndërqeveritare para fundit të 2021. Ky është synimi im”, tha Von Der Lyen.

Por, deklarata e Von Der Lyen nuk bindi kryeministrin Rama, i cili afatet që vendos BE i sheh me skepticizëm. “Ne këto i bëjmë për veten tonë, tani se ça bëjnë ata është punë e tyre. Bullgaria ka marrë peng integrimin”, tha Rama.

Eurokomisionerja shprehu gjithashtu garancinë e KE-së për vijimin e  procesin të Berlinit. E pyetur për “Open Balkan” theksoi mbështetjen me kushtin që të jetë gjithëpërfshirëse.

“Mendoj se po të shikojmë ecurinë ekonomike si dhe thellimin e marrëdhënieve ekonomike mendoj se procesi i Berlinit është kuadri që ne po përdorim, që të 6 vendet e Rajonit, nga të cilat do të përfitojnë. Çdo nismë tjetër është e mirëpritur, por duhet të jetë gjithëpërfshirëse”, theksoi Von Der Lyen.

Pjesë e takimeve të Von Der Lyen në Tiranë ishte dhe presidenti Meta, i cili i shprehu eurokomisioneres besimin te institucionet e Bashkimit Europian, ndërsa vuri theksin te intensifikimi i përpjekjeve të përbashkëta për të përballuar sfidat e brendshme dhe të jashtme.