Vritet oficeri i Krimeve në Komisariatin e Policisë së Lezhës

Përditësuar më: 28/9/2021, ora 14:54

Vritet oficeri i Krimeve në Komisariatin e Policisë së Lezhës

Përditësuar më: 28/9/2021, ora 14:54

Një oficer i Krimeve në Policinë e Lezhës ka mbetur i vrarë këtë të martë gjatë një kontrolli për parandalimin e kultivimit të bimëve narkotike.

Policia the se oficeri i mbetur i vrarë, ndërsa transportohej për në spital, është Saimir Hoxha, 44 vjeç. Viktima ishte nga Puka dhe prej vitesh ishte punonjës policie në Lezhë dhe Shëngjin.

Sipas Policisë, autori i dyshuar i vrasjes është një 21-vjeçar, i identifikuar si Aldo Rama, i dënuar më parë për prodhim dhe shitje të narkotikëve dhe mbajtje pa leje të armëve të ftohta, i cili është larguar me automjet nga vendngjarja.

Sipas burimeve, Hoxha ndodhej me 4 kolegë të tij kur ndaluan një mjet që rezultonte me targa të vjedhura.  Ndalimi ishte pasojë e dyshimeve se në atë zonë të mbrojtur nga shteti për pasuritë natyrore, po kultivoheshin lëndë narkotike.

Nga një distancë të afërt oficeri u qëllua nga 21-vjeçari, në arrest shtëpie për drogë, duke u goditur në zemër, ndërkohë që Rama ka mundur të largohet rreth 1 kilometër nga vrasja duke braktisur mjetin.

Policia ka nisur një operacion për kapjen e autorit të dyshuar që mendohet se fshihet në një banesë, në zonën e Kune-Vainit në Lezhë.

21-vjeçari i dyshuar për krimin, mendohet se ndodhet në një vilë, një banesë me ngjyrë të bardhë që ndodhet rreth 400 metra nga vendi i krimit. Zona përreth po monitorohet nga forcat speciale RENEA, repartet e FNSH-së si dhe nga ajri me helikopterë. Nga pamjet duken qartësisht të paktën dy efektivë të forcave speciale që ndodhen në çatinë e godinës në fjalë.

Njoftimi i Policisë

Rreth orës 10:30, në Ishull Lezhë, në rrethana ende të paqarta është qëlluar me armë zjarri në drejtim të grupit të kontrollit të territorit për parandalimin e kultivimit të bimëve narkotike.

Si pasojë, është plagosur me armë zjarri oficeri i Krimeve në Komisariatin e Policisë Lezhë shtetasi S. H., 44 vjeç, i cili për pasojë të plagëve të marra ka ndërruar jetë gjatë rrugës për në spitalin Rajonal Lezhë.

Shërbimet e Policisë kanë rrethuar zonën me qëllim kapjen e autorit.

Në ndihmë të Policisë lokale janë nisur forcat speciale Renea, grupe të FNSH-së dhe një grup i posaçëm hetimor nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, për të bërë të mundur zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorëve.