Ndërron jetë në spital, autori i vrasjes së oficerit Saimir Hoxha

Përditësuar më: 29/9/2021, ora 09:40
Vrasja e policit ne Lezhe identifikohet autori i dyshuar nje 21 vjecar me precedente penale 1024x576

Ndërron jetë në spital, autori i vrasjes së oficerit Saimir Hoxha

Përditësuar më: 29/9/2021, ora 09:40

21-vjeçari Aldi Rama, personi që qëlloi për vdekje nënkomisarin Saimir Hoxha ditën e djeshme, ndërroi jetë në spital si pasojë e plagëve të marra pasi tentoi të vetëvritej. Prej ditës së djeshme, ai gjendej i shtruar në spitalin e Traumës në gjendje kome, si pasojë e lëndimeve në kokë.

Policia tha se Rama ndërroi jetë në rreth orës 05:35 të mëngjesit të sotëm në Spitalin e Traumës në Tiranë. “Ekspertët mjekoligjorë, në prezencë të grupit hetimor dhe nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Lezhë, po kryejnë autopsinë dhe gjithë veprimet e tjera ligjore. Grupi i posaçëm hetimor vijon punën për dokumentimin e plotë të ngjarjes”, tha Policia.

Për ngjarjen e rëndë, ku mbeti i vrarë oficeri i Krimeve në Policinë e Lezhës, Saimir Hoxha, janë arrestuar edhe dy persona të tjerë, të identifikuar si A. M., 26 vjeç dhe K. Sh., 27 vjeç, banues në Lezhë.

Për nënkomisarin ka nisur puna për shpalljen Dëshmor i Atdheut.

“Ngjarje te tilla nuk mund të na zmbrapsin apo dekurajojnë në luftën kundër paligjshmërisë”,  tha dje ministri i Brendshëm Bledi Çuçi.

Pasi vrau oficerin e Policisë, Aldi Rama nuk iu dorëzua Policisë, por u vetëplagos dhe u transportua në spital në gjendje kritike, ku sot ka ndërruar jetë.