Nxitja e punësimit dhe rritja e pagave deri në 40%, ministrja Ibrahimaj tregon në A2 Business se si do të realizohen

Përditësuar më: 29/9/2021, ora 22:55

Nxitja e punësimit dhe rritja e pagave deri në 40%, ministrja Ibrahimaj tregon në A2 Business se si do të realizohen

Përditësuar më: 29/9/2021, ora 22:55

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, ishte e ftuar në A2 Business këtë të mërkurë, ku ndër të tjera tregoi edhe se si nxitet punësimi në këtë mandat të ri të qeverisë, ndërsa foli edhe për rritjen e pagave në sektorin shtetëror dhe atë privat.

“Rritja ekonomike dhe punësimi janë dy elementë të lidhur ngushtë me njëri-tjetrin. Shifrat e punësimit kanë qenë të kënaqshme gjatë vitit 2020 dhe vitit 2021, duke treguar një tejkalim të atij efekti që u dha nga pandemia. Qeveria do të vazhdojë investime të mëdha që shoqërohen me punësim në sektorë që janë të lidhur me punën si, turizmi, bujqësia. Nga ana tjetër, qeveria do të ndihmojë sipërmarrjet e vogla. Ka një sërë masash në programin e qeverisë që do të ndihmojnë biznesin e vogël me qëllim që të ketë një zhvillim të punësimit në këtë sektor. Nga ana tjetër, ka projekte të mëdha, si ai i Durrësit, ku pritet të ketë zhvillim në turizëm, por edhe një numër të madh të punësuarish. Parashikohet që punësimi të vazhdojë të rritet me ritmin e rritjes ekonomike”.

Është premtuar në 4-vjeçarin e ardhshëm një rritje e pagave me 30 deri në 40% në administratë. A është i realizueshëm një premtim i tillë?

“Patjetër që është i realizueshëm. Rritja me 30 deri në 40% është një rritje e shpërndarë ndër vite. Është një premtim dhe ne synojmë të rritet mirëqenia e gjithë ekonomisë dhe jo vetëm e të punësuarve në administratë publike. Synimi kryesor i kësaj është se shteti shërben si target edhe për privatin. Ne synojmë që edhe nëpërmjet të rritjes së pagës minimale, synojmë nxitjen e pagave edhe në sektorin privat dhe jo vetëm në sektorin shtetëror. Ndonëse deri tani masa e rritjes së pagës nuk ka qenë në të njëjtat nivele, pagat mesatare në sektorin privat janë rritur me 25%. Ne do të donim që ato të vazhdonin rritjen. Ne kemi të parashikuar në program një fokus në digjitalizim dhe teknologjinë e informacionit të cilat vijnë të shoqëruara me paga më të larta. Besoj se rritja e pagës mesatare do të vazhdojë këtë ritëm rritje. Rritja e pagës minimale detyrimisht ndikon edhe në rritjen e pagës mesatare”, u shpreh ministrja.