Shqipëria nënshkruan marrëveshje ekstradimi me Spanjën, Manja: Një sinjal i qartë për botën e krimit

Përditësuar më: 29/9/2021, ora 14:12
29 SHTATOR 2021 BALLUKU frame 22827 1024x576

Shqipëria nënshkruan marrëveshje ekstradimi me Spanjën, Manja: Një sinjal i qartë për botën e krimit

Përditësuar më: 29/9/2021, ora 14:12

Shqipëria ka nënshkruar një marrëveshje për ekstradimin e personave të akuzuar, të dënuar apo në kërkim, me Mbretërinë e Spanjës, njoftoi ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja.

“Kemi pasur bashkëpunim në fushën penale edhe sot, por përmes kësaj marrëveshjeje eliminohen disa pengesa ligjore dhe tashmë do të lejohet ekstradimi reciprok i shtetasve shqiptarë në drejtim të Spanjës dhe anasjelltas”, tha Manja. “Është një sinjal i qartë për botën e krimit, që çdo shqiptar që kryen një vepër penale, nuk mund të gjejë strehë as në Shqipëri e as një Spanjë”.

Edhe pse ministri Manja, nuk dha shifra sa i përket numrit të personave të akuzuar apo dënuar për vepra të ndryshme penale që preken nga kjo marrëveshje, kriminaliteti shqiptar në Spanjë është rritur ndjeshëm në vitet e fundit.

Në fillim të këtij muaji, Policia shqiptare dhe ajo spanjolle njoftuan për një operacion të përbashkët kundër trafikimit të lëndëve, ku u arrestuan 107 persona, pjesa më e madhe e të cilëve shqiptarë, të dyshuar të përfshirë në krimin e organizuar në fushën e drogës.

Pas atij operacioni, shefi i Divizionit të Hetimeve Kriminale të Skuadrës së Lëvizshme të Policisë Spanjolle, Ramón Chacón, tha se shqiptarët janë sekserët e kanabisit në Europë. “Shqiptarët që vijnë këtu janë sekserët e marijuhanës, sepse kontaktojnë mafien spanjolle që merret me ngritjen e shtëpive të barit dhe më pas gjejnë blerësit. Prandaj është e rëndësishme që të bashkëpunojmë me policinë shqiptare”, tha Chacón.