Vrasja e policit, si u arrestua dy herë dhe u lirua me vendim gjykate Aldi Rama?

Përditësuar më: 29/9/2021, ora 19:35

Vrasja e policit, si u arrestua dy herë dhe u lirua me vendim gjykate Aldi Rama?

Përditësuar më: 29/9/2021, ora 19:35

Përballja e parë me drejtësinë e Aldi Ramës nisi në vitin 2018, 2 muaj pasi ai ishte bërë 18 vjeç. Në gusht të këtij viti ai u arrestua për akuzën e vjedhjes, pasi u kallëzua nga e dashura e tij.  Sipas gjykatës, Rama i vodhi asaj telefonin celular, duke e motivuar se do t’ia kontrollonte për arsye xhelozie.

Fillimisht ai i kërkoi 50 euro për kthimin e tij, por më pas e ka marrë vajzën në një taksi dhe bashkë me dy shokë të tjerë kanë shkuar tek një shtëpi e pabanuar në Balldre të Lezhës. Në këtë banesë çifti ka kryer marrëdhënie seksuale, kanë konsumuar kanabis, ndërsa Rama ka ushtruar dhunë ndaj të dashurës. Pas arrestimit policia gjeti në banesën e të riut 13 gramë kanabis, çka i shtoi edhe akuzën e “prodhimit e shitjes së narkotikëve”.

Rama u gjykua në masën e sigurisë “arrest në burg” dhe në mars 2019 u fajësua për të dy akuzat me 5 vite burg. Pasi uljes nga gjykimi i shkurtuar, referuar pendesës dhe faktit se ishte i padënuar më parë, gjykata e la në shërbim prove për 2 vjet, duke urdhëruar lirimin e tij të menjëhershëm nga qelia.

Teksa gjykata e kishte urdhëruar për të mos kryer asnjë vepër penale, në 20 tetor 2020 Aldi Rama u kap në ambientet e një lokali lojërash në Lezhë me 19.6 gr kanabis me vete dhe një thikë. Ai u la në masën e sigurisë “arrest në burg”, por prokuroria vonoi dërgimin e dosjes së tij në gjyq përtej afatit ligjor.

Për këtë shkak, në seancën paraprake në 6 maj 2021 Gjykata e Lezhës vendosi lirimin e tij nga qelia, duke e çuar në masën “arrest në shtëpi”. Sipas të dhënave nga Gjykata e Lezhës, procesi ndaj tij kishte filluar dhe në 6 tetor 2021 ishte planifikuar seanca e radhës, ku pritej të dëgjohej pretenca e prokurorisë.