Dinamo-Partizani, derbi i parë i sezonit luhet në Elbasan

Përditësuar më: 30/9/2021, ora 17:34
PRAG DINAMO PARTIZANI DERBI JAVA 4 frame 853 1024x576

Dinamo-Partizani, derbi i parë i sezonit luhet në Elbasan

Përditësuar më: 30/9/2021, ora 17:34

Dinamo u kthye në Superiore pas 9 vjetëve mungesë. Blutë do të luajnë në elitë derbin me Partizanin pas 12 vjetëve. Fakti që sfida e është spostuar në Elbasan penalizon tifozët, por nuk ndryshon objektivat e bluve.

“Jemi munduar që ekipi të qetësohet, të mos kemi presion, sikurse jemi munduar t’ua shprehim të huajve rëndësinë e derbit. Të tjerët e ndjejnë, pasi e njohin derbin. Është një ndeshje e veçantë deri në këto momente. Do ishte më mirë të luhej në Tiranë, por edhe Elbasani ka fushë ku mund të shprehesh mirë në aspektin teknik. Do mundohemi të fitojmë, pa harruar se luajmë ndaj një ekipi të fortë si Partizani. Janë dy ekipe të denja për ta fituar ndeshjen. Për Dinamon do jetë çdo ndeshje barometër, deri kur të vijë ajo që duam. Jemi në rrugë të mbarë dhe jam i bindur që e ardhmja e Dinamos do të jetë e mirë”, deklaroi Blendi Shkëmbi.

Ilir Daja dhe Alban Hoxha luajnë një derbi si “ish”. Të dy pjesë e Dinamos, që triumfoi në finalen e titullit me Partizanin në vitin 2008, por që synojnë t’i shkaktojnë bluve humbjen e parë sezonale edhe sepse të kuqtë kërkojnë suksesin e parë.

“I rikthehem historisë. Është një gjë e rrallë, pasi ndeshja e fundit finale u fitua me lojtarë dhe ka ngelur në historinë e futbollit shqiptar. Tani jam në krahun tjetër dhe do duhet të luftoj kundër ish-skuadrës time. Është një ndeshje e vështirë, edhe pse Dinamo u rikthye në Superiore pas disa kohësh. Ndeshjet derbi nuk parashikohen, por janë ndeshje për t’u fituar”, u shpreh Ilir Daja, trajner i Partizanit.

Ndërsa Alban Hoxha u shpreh: “Loja do jetë e njëjtë, thjeshtë të minimizojmë gabimet. Edhe Dinamo do humbë, si të gjithë. Nuk kemi dëshirën më të madhe t’u shkaktojmë humbjen e parë, por të marrim fitoren vetë. Objektivi është të jemi sa më afër kreut. Dinamo është ekip i fortë, mbron mirë si ekip dhe ka sulm të rrezikshëm. I kemi mundësitë edhe për të dalë kampionë, por kjo bëhet me punë dhe sakrificë”.

Java e katërt e Kategorisë Superiore vazhdon me sfidat e së shtunës dhe së dielës, ku spikasin duelet Tirana-Laçi dhe Kukësi-Teuta.