Fierza në kuota kritike, nga katër turbina, vetëm një prodhon energji

Përditësuar më: 30/9/2021, ora 17:07

Fierza në kuota kritike, nga katër turbina, vetëm një prodhon energji

Përditësuar më: 30/9/2021, ora 17:07

Reshjet e këtij muaji duket se nuk e kanë dhënë fare efektin te prurjet e dy lumenjve kryesorë në veri të vendit që derdhen dhe furnizojnë në Liqenin e Fierzës.

Niveli në basenin më të madh ujëmbledhës me qëllim prodhimin e energjisë elektrike në vend është në pika kritike.

Pamjet tregojnë qartë, sa larg nivelit maksimal që garanton prodhimin e duhur të energjisë elektrike, është situata aktuale.

Sipas të dhënave zyrtare aktualisht Fierza është në nivelin e 271.66 m mbi nivelin e detit ndërsa prurjet janë minimale rreth 35 m3/sek. Kuota maksimale e këtij liqeni është 296 m.

Për momentin vetëm një turbinë është në punë për prodhim energjie nga katër qe ka HEC-i i Fierzës.

Sipas sallës operative, në Fierzë nuk punohet për prodhimin e energjisë elektrike në tre prej agregateve të saj, në përpjekje për të krijuar rezerva ujore në liqenin e këtij hidrocentrali. Për rrjedhojë KESH prej ditësh ka nisur blerjen e një sasie të konsiderueshme të energjisë elektrike në tregun ndërkombëtar për të siguruar nevojat e konsumit në vend.

Të paktën deri në mesin e tetorit, Fierza nuk parashikohet të prodhojë energji elektrike shtesë, pasi për momentin po tentohet të ruhet kuota e liqenit për të mos arritur në pikën e vdekjes.