“S’kemi ku t’i lëmë fëmijët, po i shohim si barrë”, nis mbledhja e firmave për kthimin e normalitetit në shkolla

Publikuar më: 30/9/2021, ora 17:08

“S’kemi ku t’i lëmë fëmijët, po i shohim si barrë”, nis mbledhja e firmave për kthimin e normalitetit në shkolla

Publikuar më: 30/9/2021, ora 17:08

Deklarata e ministres së Arsimit nuk i ka qetësuar aspak prindërit. Për ta çdo vonesë në vendimmarrje është në dëm të arsimimit të fëmijëve.

Për këtë arsye, prindër të nxënësve të institucioneve publike të Tiranës kanë nisur mbledhjen e firmave për rikthimin e normalitetit në shkolla.

Firmosja e peticionit ka nisur nga shkolla “Emin Duraku”, e cila edhe këtë vit e zhvillon mësimin me katër turne. Por sa i vështirë është ky skenar mësimi për fëmijët dhe prindërit?

“Fillojnë mësimin në 16:30 me 18:30 dhe janë fëmijë 7 dhe 8 vjeç. Një prind që do ta çojë fëmijën në 16:30 i duhet të paguajë dikë për ta mbajtur paradite. Veç kostos financiare, kjo është e tmerrshme, pasi po i shohim fëmijët si barrë. Të gjithë këtë diskutim kemi, ku do t’i lënë fëmijët?!”, ngre shqetësimin një nga prindërit.

Në fundjavë, nismëtarët e peticionit do të vendosen në zona të ndryshme në Tiranë për mbledhjen e sa më shumë firmave. Ndërsa javën e ardhshme, ai do t’i dorëzohet Ministrisë së Arsimit. Ky është viti i tretë shkollor që mësimi në shkollat publike zhvillohet me skenarë nga pandemia dhe për shkak të mungesës së kushteve në shkollat publike.