Tensionet për targat: S’ka ujdi mes palëve, bisedimet në Bruksel vijojnë edhe sot

Përditësuar më: 30/9/2021, ora 10:28

Tensionet për targat: S’ka ujdi mes palëve, bisedimet në Bruksel vijojnë edhe sot

Përditësuar më: 30/9/2021, ora 10:28

Takimet në Bruksel për zgjidhjen e konfliktit për targat në veri të Kosovës, përfunduan pa një marrëveshje. Pas bisedimeve të zhvilluara me përfaqësuesin e posaçëm të BE-së, Miroslav Lajçak, por edhe të dërguarin e SHBA-së, Gabriel Escobar, kreu i delegacionit të Kosovës, z. Besnik Bislimi njoftoi se ishin pranë dakordësisë për një draft-marrëveshje, e cila ndër të tjera parashikonte tërheqjen e njësive speciale dhe barrikadave që nga e shtuna dhe vendosjen e trupave të KFOR në pikat kufitare. Megjithatë, zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, por edhe ambasada amerikane në Kosovë, sqaruan menjëherë më vonë se bisedimet po vazhdonin dhe se nuk ishte arritur ende një marrëveshje.

Pala serbe, e cila ka vijuar bisedimet me zyrtarët e BE deri në orët e vona të së mërkurës, nuk dha asnjë deklaratë pas përfundimit të takimeve, por u bë e qartë se nuk e mbështeste draft-marrëveshjen. Burime të BE-së thanë se bisedimet do të vazhdojnë të enjten, edhe pse shefi i delegacionit të Kosovës, u largua nga Brukseli gjatë mbrëmjes.

Sipas burimeve, Bislimi mund të marrë pjesë në bisedime përmes lidhjeve video. Sipas asaj që u bë e ditur të mërkurën në Bruksel, teksti i draft-marrëveshjes me të cilën është pajtuar pala e Kosovës, parashikon që në një fazë kalimtare prej gjashtë muajsh targat e automjeteve të mos hiqen dhe ndërrohen, por vetëm të mbulohen me një letër ngjitëse. Një grup pune do të krijohej, për t’i dhënë zgjidhje përfundimtare mosmarrëveshjeve.