Sondazh: Destinacionet e fundjavave tuaja janë:
  • Bregdeti 60%
  • Zonat malore 20%
  • Qendrat historike 20%

Arben Vitia jep dorëheqjen nga posti i ministrit të Shëndetësisë, kandidon për kryetar të Prishtinës

Nga A2 CNN
1 Tetor 2021, 12:03 | Kosova
Arben Vitia jep dorëheqjen nga posti i ministrit të

Arben Vitia ka dhënë zyrtarisht dorëheqjen nga posti i ministrit të Shëndetësisë, pasi do të kandidojë për kryetar të Prishtinës. Vendimin e ka bërë të ditur në një konferencë për mediat këtë të premte, ndërsa foli edhe për situatën dhe menaxhimin e pandemisë gjatë qeverisjes së tij në këtë dikaster. 

“Detyra e ministrit të Shëndetësisë është në vetvete një detyrë me privilegj dhe përgjegjësi të lartë. Mua m'u dha besimi nga kryeministri Kurti dhe pata privilegjin që t’i shërbej me gjithë fuqinë që disponoj popullit që i përkas, në një kohë të vështirë, të dhimbshme dhe me sakrifica. U jam mirënjohës për jetë për besimin e dhënë dhe mbështetjen e dhënë. Kjo përvojë na ka transformuar të gjithëve pa përjashtim. Por mbi të gjitha në aspektin njerëzor kjo ka qenë pasuria më e madhe që e kam përfituar si qenie njerëzore, mjek, si politikan, si qytetarë i atdheut tonë të përbashkët. Unë sot po e përmbyll angazhimin tim në këtë detyrë me të cilën më pati ngarkuar kryeministri Kurti për të cilin do të jem mirënjohës”, tregoi Vitia.

Ndërkohë, ushtruese e detyrës së ministres së Shëndetësisë do të jetë zëvendësministrja, Dafina Gexha-Bunjaku.

“Unë po ia transferoj përgjegjësinë stafit të ministrisë dhe në nivelin politik, zëvendësministres së Shëndetësisë, Dafina Gexha, me bindjen e thellë se puna dhe angazhimi do të vazhdojnë në plotëni”, tha Vitia.

Ai theksoi se tani e tutje, fokusin do ta ketë te kryeqyteti, ku synon të jetë kryetar i komunës së Prishtinës.

“Tani e tutje do të jem pjesë e një ekipi tjetër që ka në fokus kryeqytetin. Do të jem kandidat për kryetar të Komunës së Prishtinës, sepse ne jemi në një moment kritik ku nga ne priten të merren vendime të guximshme të transformimit tona, në qytetet të shëndetshme e të jetueshme e me zhvillim të qëndrueshëm”, tha mes tjerash Vitia.

Zgjedhjet lokale do të mbahen më 17 tetor, por deri tani Vitia nuk është përfshirë në fushatë zgjedhore.

A2 CNN Livestream

Debat - nga Alba Alishani