Inceneratorët dhe “Becchetti”, PD kërkon në Kuvend edhe dy komisione hetimore

Partia Demokratike ka depozituar zyrtarisht kërkesën për ngritjen e komisionit hetimor për çështjen e inceneratorëve.

Jorida Tabaku pritet të jetë kryetarja e këtij komisioni shpjegoi se synon të verifikojë ligjshmërinë e hapave që janë marrë nga qeveria Rama për 3 inceneratorët, atë të Tiranës, të Fierit dhe Elbasanit.

“Qeveria në shkelje të ligjit, në shkelje të Kushtetutës ka dhënë një projekt korruptiv, një kompanie pa asnjë lidhje me fushën e menaxhimit të mbetjeve. Të gjithë e patë që informacionin SPAK i drejtoi Presidentit Meta, ku thotë se asnjë nga përfaqësuesit e qeverisë që është sot në qeveri, nuk është në hetim, ndërkohë që në gjykimin tonë, të paktën kryeministri dhe Ahmetaj, si dy persona kyç në aferën e inceneratorëve, duhej të ishin sot në hetim”, tha Tabaku.

Pak pas Tabakut në Kryesinë e Kuvendit u paraqit kolegia e saj Grida Duma, që dorëzoi kërkesën për komisionin e tretë hetimor, atë mbi çështjen “Becchetti”.

Ky Komision Hetimor, ne si grup parlamentar dhe anëtar të këtij komisioni, duam që të shtrojmë sa më tepër qartësi mbi ata që janë shkaktarët dhe që dëmin në fund, duke iu drejtuar drejtësisë me këto fakte që ky komision duhet të nxjerrë duhet më në fund të mos e paguajnë shqiptarët që nuk kanë asnjë faj, por ata që e nisën me koshiencë dhe me vetëdije, por edhe me paaftësi, këtë çështje që i shkon sot shqiptarëve 120 milionë euro dëm”, tha Grida Duma.

Një ditë më parë demokratët paraqitën kërkesën për zhvillimin e një hetimi parlamentar mbi zgjedhjet e 25 prillit, të cilësuara prej tyre si masakër zgjedhore.