Propaganda dhe terreni, si bëhen operacionet kundër kanabisit e çfarë u serviret publikut?

Pas njoftimit zyrtar të Policisë së Shtetit mbi ngjarjen e rëndë të ndodhur në Kune Vain të Lezhës, hetimet ende nuk kanë nxjerrë planin operacional që kishin efektivët për djegien e parcelës me hashash. 

Pas sekuestrimit të kopjeve të librave të shërbimit nga ana e SHÇBA nuk ka asnjë gjurmë të planit të policisë për djegien e parcelës me 62 rrënjë kanabisi. Sipas njoftimit zyrtar të Policisë së Shtetit, tre efektivët mes tyre dhe nënkomisari Saimir Hoxha ishin me detyrë si grup kontrolli dhe jo si grup i asgjësimit të lëndës narkotike.

Pas marrjes së informacioneve në rrugë operative se në Kune Vain ishte një sipërfaqe e mbjellë me hashash ky grup i ngritur përbëhej nga shefi i krimeve, nënkomisari si dhe specialisti i zonës.  Duke qenë se në njoftimin për shtyp të policisë thuhet grup kontrolli shpjegohet dhe arsyeja se pse nuk ka pasur një plan organizativ të mirëfilltë për parcelën apo per rrezikun që mund të kanoset në raste të tilla.

Kjo përforcohet dhe me faktin se efektivët civilë nuk ishin të pajisur me mjetet e policisë veçse me një jelek fosforeshent me mbishkrimin policia.

Policia e Shtetit, në më të shumtën e rasteve, del në terren në operacione të tilla me një plan organizativ ku marrin pjesë dhe forca të ndërhyrjes së shpejtë si në këto pamje. Pas një indicie fillestare dhe informacioneve në rrugë operative, policia vlerëson rrezikshmërinë rast pas rasti dhe më pas bëhet plani operacional.

Elementë të tillë së pari kanë të bëjnë me rrezikun në terren, burimet njerëzore dhe logjistikën ndërsa ngjarja e rëndë që i kushtoi jetën nënkomisarit Hoxha nisi si një operacion jo i sigurtë që në parcelën e hashashit.