Valë tjetër me 60 mijë emigrantë haitianë drejt kufirit të Meksikës për në SHBA

Një valë tjetër prej 60 mijë emigrantësh haitianë po shkojnë drejt kufirit amerikan përmes Meksikës. Alarmi është dhënë nga ministrja e Jashtme e Panamasë, Erika Mouynes, gjatë një vizite në Uashington DC, këtë javë.

Ajo shprehu zhgënjimin kur tha se Panamaja ka paralajmëruar administratën e Biden-it për muaj për rritjen e migrimit të parregullt, ndërsa apeloi për vëmendje ndaj kësaj çështjeje.

“Ne dhamë alarmin kur duhet. Ne jemi angazhuar me çdo autoritet. Ne duhet t’i kushtojmë vëmendje kësaj”, tha ajo.

Sipas Mouynes, 85 mijë emigrantë kanë kaluar përmes Panamasë deri më tani.

Javët e fundit, skena tronditëse të mjerimit njerëzor u shfaqën nga një kamp i varfër emigrantësh pranë kufirit në Teksas, i cili u rrit në 15 mijë në kulmin e krizës, ndërsa Patrulla Kufitare e papërgatitur u përpoq të frenonte rrjedhën e kalimeve ilegale.

Shumica e emigrantëve nga Haiti kishin jetuar në vendet e Amerikës së Jugut prej vitesh, por u nisën drejt SHBA-së kur mësuan se presidenti Joe Biden po ndalonte dëbimet e shtetasve haitianë në vend.

Duke udhëtuar në tokë nga Amerika e Jugut, ata duhet të kalojnë në kufirin e Panamasë, me shumë prej tyre që udhëtojnë nëpër xhunglat e Darien Gap.

Panamaja pret që 27 000 emigrantë të tjerë të kalojnë përmes Darien Gap këtë muaj, më shumë sesa u hasën gjatë gjithë vitit 2019.