El Salvadori nis prodhimin e Bitcoin duke përdorur energji vullkanike

El Salvadori ka nisur të prodhojë Bitcoin, duke përdorur energji të përfituar nga një vullkan. Të paktën kështu pretendon presidenti i vendit Nayib Bukele.

Ish-biznesmeni, i cili u zgjodh në krye të shtetit të Amerikës Qendrore në vitin 2019, njoftoi përmes një postimi në Twitter të premten se vendi i tij kishte arritur të prodhonte 0,00599179 Bitcoin, ose rreth 269 dollarë në vlerë monetare, duke përdorur energji gjeotermike.

Vetëm një muaj më parë, më 7 shtator, El Salvadori u bë vendi i parë në botë që miratoi përdorimin e Bitcoin si mënyrë ligjore pagese.

El Salvadori njihet edhe si “toka e vullkanëve” me 20 vullkane potencialisht aktiv të shpërndarë në të gjithë vendin. Sipas Shoqatës Amerikane të Tregtisë Ndërkombëtare, vendi merr më shumë se 20% të energjisë totale nga burimet gjeotermale. Të martën e kaluar, Bukele postoi një video në Twitter ku tregonte një termocentral vullkanik, një kontejner me pajisje për prodhimin e Bitcoin dhe teknikë që instalonin makineri për prodhimin e kriptovalutës.

Më 6 shtator, një ditë para se të miratonte përdorimin e Bitcoin si mënyrë pagese, El Salvadori bleu 400 Bitcoin, për rreth 20,9 milionë dollarë. Një ditë më pas, kur vendimi hyri në fuqi, çmimi i kriptomonedhës ra nga 52 mijë në 43 mijë dollarë për copë. Vendimi i Bukeles ka hasur edhe me kundërshtime në vend, pasi shumë mendojnë se është një lëvizje e gabuar.