HEC Skavica, Yuri Kim dhe Balluku inspektojnë zonën ku do ngrihet vepra

Skavica ka nisur zyrtarisht punën në terren për përgatitjen e projektit të Hidrocentralit të katërt në kaskadën e Drinit.

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku, u shoqërua nga ambasadorja amerikane Yuri Kim në inspektimin e zonës ku do të ndërtohet vepra ambicioze.

Mbi 50 inxhinierët e angazhuar në projekt në këtë fazë kanë nisur studimin gjeologjik të zonës, për të caktuar vendndodhjen e digës dhe elementët e tjerë, ndërsa i gjithë projekti ka hyrë në fazën e gjetjes së financimit dhe gërmimi i parë pritet të nisë pas 18 muajsh.

Për ministren Balluku, nisur edhe nga situata aktuale energjetike në Europë, realizimi i hidrocentralit të projektuar prej dekadash, merr një rëndësi edhe më të madhe për sigurinë energjetike të Shqipërisë.

Ambasadorja amerikane Yuri Kim, ky bashkëpunim me gjigandin amerikan Bechtel shënon hapin e radhës në marrëdhëniet e biznesit mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara.

Krahas prodhimit nga hidrocentrali, Skavica do të përmirësojë menaxhimin e të gjitha HEC-eve në kaskadë.

Ndërsa sipas ministres Balluku, investimi shoqërues në infrastrukturë dhe në komunitet, do t’i japë një mundësi të madhe për zhvillim zonës së Kukësit dhe Dibrës.