Presidenti Meta vlerëson Kryqin e Kuq me Dekoratën e lartë “Nderi i Kombit”

Presidenti i Republikës, Ilir Meta, me rastin e 100-vjetorit të themelimit, dekoroi Kryqin e Kuq Shqiptar me titullin e lartë “Nderi i Kombit”.

Kreu i shtetit vlerësoi veprimtaritë humanitare dhe fisnike të shoqatës me  të vjetër në vend që nga dhënia e ndihmës së parë apo mbështetja e shtresave në nevojë dhe përgjigjja në raste katastrofash.

“Vlerësimi shkon në nderim dhe në kujtim të gjithë themeluesve, drejtuesve dhe vullnetarëve ndër vite, të cilët në periudhat më të vështira të shekullit të kaluar, u kujdesën për fëmijët e varfër dhe shtresat më të përvuajtura, përmes Strehëve Vorfënore, Këshillimoreve, Shkollës së Infermiereve, hapjes së çerdheve, azileve dhe shtëpive të fëmijëve në mbarë vendin.

Gjithashtu, ky vlerësim shkon për të rinjtë, anëtarët, vullnetarët dhe stafet tejet profesionale, të cilët me veprimtaritë e shumta humanitare, të kryera në situata emergjente, kanë ndihmuar me shpërndarjet masive të ndihmave, me mobilizimin e fuqishëm gjatë krizës së Kosovës në vitin 1999, me ndihmën e dhënë pas tërmetit të 26 nëntorit 2019, me mbështetjen e dhënë “Aleancës për Dhurimin e Gjakut” dhe tashmë, në situatën e krijuar nga pandemia e COVID-19”, shkruan presidenti Meta.