Rekordmeni europian i kërcimit së gjati: Smajlaj, një prej atletëve më të spikatur në botë

248 tituj kampion në gara të ndryshme, kombëtare dhe ndërkombëtare. Kampion dhe rekordmen absolut i Shqipërisë për 16 vjet, nga 1975 deri në vitin 1991. Gjergji Ruli është legjenda e gjallë e atletikës shqiptare. Një personalitet, vlerësimet për të cilin nuk mjaftojnë asnjëherë. Pas titujve “Nderi i Sportit Shqiptar”, “Nderi i Atletikës Shqiptare” dhe “Mjeshtër i Merituar i Sportit”, në 60-vjetorin e lindjes, Rulit iu akordua edhe dekorata e lartë “Nderi i Kombit” nga presidenti i Republikës. Një prej të ftuarve të spikatur në ceremoni ishte Robert Emmiyan, president i Federatës Armene dhe rekordmen në fuqi i Europës, me distancën 8,86 metër, i vendosur në vitin 1987.

A2 CNN: Jeni një mik i madh i Gjergj Rulit, cilat janë përshtypjet nga mikpritja, por edhe çfarë mendimi keni për punën e bërë në atletikën shqiptare?

Robert Emmiyan, rekordmen i Europës në kërcim së gjati: Jam falënderues për faktin që mu dha mundësia të jem në Shqipëri, në festën e 60-vjetorit të Gjergji Rulit, një mik i mirë, të cilin e kam si vëlla. Njihemi prej shumë vitesh dhe jam krenar që kam një mik si Gjergji. Sporti ynë mbretëreshë na jep mundësinë që të udhëtojmë shumë nëpër botë. Jam shumë i lumtur për Gjergjin, sepse kudo ku shkon ai e përfaqëson Shqipërinë në nivele shumë të larta. Ai kujdeset për sportin, për zhvillimin e atletëve dhe mendon të bëjë më të mirën për vendin e tij, e cila është shumë e rëndësishme.

Vlerësoj angazhimin e tij profesional, miqësor edhe si një trajner fantastik. Ai mundohet t’ia transmetojë eksperiencën që ka atletëve. Izmiri është një prej atletëve më të mirë në Europë, që garon në shumë turne ndërkombëtarë, në Olimpiada, në botërorë dhe është kampion Europe. Një sportist që ka mundësi të bëjë rezultate shumë të mëdha në çdo garë.

A2 CNN: Është një situatë interesante, sepse Gjergji Ruli është një kampion që stërvit Izmirin, të cilin e shtyn të thyejë rekordet e tij. Ndërkohë, ju Robert jeni kampioni në fuqi i Europës, që kur takoni Izmirin i shfaqni besim se ai do të thyejë rekorde të tjera. Një situatë fantastike…

Robert Emmiyan: Me Gjergjin dhe Izmirin takohemi shpesh gjatë aktiviteteve. Lidhja jonë është forcuar dhe jemi si një familje. Jam gati t’i transmetoj Izmirit të gjithë eksperiencën time. Është shumë e rëndësishme për të ardhmen tonë. Besoj te Izmiri, që me mbështetjen e Gjergj Rulit mund të ketë rezultate të mëdha kombëtare dhe ndërkombëtare. Në Olimpiadën e ardhshme në Paris, në vitin 2024 ku do të jem edhe unë, pres dhe jam i sigurt që Izmiri do të realizojë paraqitje speciale.

A2 CNN: Do ta inkurajoje Izmirin të thyente edhe rekordin tuaj europian. Gjergji beson se është një prej kërcyesve më të mirë në botë?

Robert Emmiyan: Izmiri ka potencial të madh, shoh shumë kërcime të mira në stërvitje. Së bashku analizojmë punën që ai bën dhe e këshilloj. Ndoshta duhet të rregullojë diçka në aspektin psikologjik gjatë garave. Nëse Izmiri do të kërcejë 8,3, 8,4 apo 8,5 metra nuk do të befasohesha. Është një rezultat që mund ta arrijë. Unë jam gati ta ndihmoj me eksperiencën time, duke e këshilluar, t’i jap forcë dhe energji. Po flasim për një prej atletëve më të mirë në Europë dhe në botë.