Rritja ekonomike, pa efektin e pandemisë nuk i kaloi 3,5%

Rritja ekonomike prej 17.9% në tremujorin e dytë të vitit, në të vërtetë nuk i kalon 3.5%, nëse e zhveshim nga efekti i pandemisë.

Sipas ekspertit Sherefedin Shehu, ky nivel zhvillimi nuk ka prodhuar mirëqenie dhe punësim për shqiptarët, ndërsa është edhe nën kapacitetet që i mundësuan faktorë të ndryshëm ndihmues.

“Kjo rritje ekonomike nuk i përgjigjet stimuluesve ekonomikë siç kanë qenë investimet për rindërtimin, që nuk do të përsëriten më, paratë e shpenzuara për fushatën elektorale, që janë të konsiderueshme dhe nuk do të përsëriten në vitet pasardhëse. Dhe ajo që është më e rëndësishme, kjo rritje ekonomike nuk shpjegohet me politika strukturore që garantojnë rritje të vazhdueshme dhe të qëndrueshme”, thotë Shehu.

Sipas tij, krahas këtyre faktorëve që ndihmuan në rritjen e prodhimit, janë shumë risqe që i kanosen ekonomisë dhe që do të pengojnë zhvillimin në vijim.

Në vend të varësisë nga kushtet e motit, shpenzimet e zgjedhjeve apo rritjes së borxhit, Shehu apelon për politika strukturore në ekonomi, që do të garantonin një nivel të qëndrueshëm zhvillimi në vijimësi.