Covid i zgjatur: Vuajnë 15% e personave që e kanë kaluar rëndë sëmundjen

10 deri 15 % e personave që kanë kaluar COVID-19 po vuajnë nga probleme të tjera shëndetësore. Nga mjekët njihet si COVID i zgjatur dhe po ndeshet kryesisht te pacientët që e kanë kaluar rëndë sëmundjen. Për këta persona duhet deri 6 muaj kohë dhe trajtim për rikthimin në normalitet.

“Një pjesë e tyre brenda këtij 15% zhvillojnë shenja të ndryshme. Janë shumë variabël nga lodhja e vazhdueshme, humbja e shijes, nuhatjes, ankthi, depresioni e deri te problemet në mushkëri dhe vështirësitë në frymëmarrje sidomos për ata që e kanë kaluar më rëndë. Nëse personi ka patur probleme kronike kërkon një kohë më të gjatë që shkon deri 6 muaj, ndërsa personat e tjerë për 1 deri 3 muaj kthehen në normalitet. Mushkëria është një organ që e rigjeneron shumë mirë veten”.

Rastet Post- Covid trajtohen në spitalin “Shefqet Ndoqi” i njohur ndryshe si Sanatoriumi.  Pneumologu Arjan Mezini tregon se spitali i është kthyer rutinës së tij, por tashmë dhe me një pavion të veçantë për trajtimin e Covdit të zgjatur.

“Më të rrezikuar për të zhvilluar sindromat post-Covid janë moshat mbi 50 vjeç, seksi femër dhe veçanërisht ata që janë mbipeshë”.

Por çfarë rekomandohet për vaksinimin e personave që e kanë kaluar koronavirusin.

“Personat që e kane kaluar Covidin, s’ka rëndësi lehtë apo rëndë, 6 muaj pas sëmundjes duhet të marrin të paktën një dozë. Per personat e pavaksinuar nuk ka asnjë diskutim që PO, nëse ne duam të dalim sa më shpejt nga kjo situatë”.

Për një kohë të gjatë dhe në muajt më të vështirë të pandemisë, sanatoriumi shërbeu si spital Covid. Me kthimin e tij në funksionin e mëparshëm, trajtimi i të sëmurëve me koronavirus përballohet nga Spitali Infektiv që menaxhon COVID-3 dhe COVID-4.