Drogë drejt Greqisë, arrestohet 25-vjeçari shqiptar dhe 5 shtetas të huaj

droga 6 1100x620

Një 25-vjeçar shqiptar ka rënë në prangat e Policisë së Kakavijës, pasi gjatë kontrollit në dalje të Shqipërisë iu gjetën në automjetin e tij 20 kg lëndë narkotike kanabis sativa. Po kështu shërbimet e Policisë kufitare kanë proceduar penalisht edhe 5 shtetas të huaj, 3 gjermanë dhe dy francezë.

Nga kontrolli i ushtruar nga shërbimet e policisë kufitare, në bagazhin e automjetit, në vendin e gomës rezervë 3 shtetasve gjermanë iu gjetën 30 doza me lëndë të dyshuar narkotike kanabis sativa, kurse francezëve 33 doza.

Njoftimi i Policisë

Shërbimet e Policisë Kufitare Kakavije,  në bashkëpunim me Sektorin për Hetimin e Narkotikëve  dhe Trafiqeve të Paligjshme në DVP Gjirokastër, si rezultat i shtimit të kontrolleve me qëllim parandalimin dhe goditjen e paligjshmërisë, bazuar në informacionet në rrugë operative  dhe në analizën e riskut, në dalje të RSH-së, pas verifikimit të të dhënave në sistemin TIMS, kanë kaluar për kontroll në vijën e dytë automjetin tip “volvo” që drejtohej  shtetasi  F. G., 25 vjeç, banues në Gjirokastër.

Gjatë kontrollit të ushtruar në automjet,  nga shërbimet e Policisë Kufitare, në sediljet e pasme të mjetit, në një vend të përshtatur janë gjetur 17 pako të mbështjella, brenda të cilave kishte lëndë të dyshuar narkotike Cannabis Sattiva, me peshë totale 20 kg.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua lënda narkotike, automjeti dhe 1 aparat celular.

Gjithashtu në dalje të RSH pas verifikimeve të të dhënave në Sistemin TIMS, shërbimet e Policisë Kufitare Kakavije kanë kaluar për kontroll në vijën e dytë automjetin tip “alfa romeo” që drejtohej nga shtetasi V. K., si dhe udhëtonin si pasagjerë shtetasit L. L. dhe K. K. (të tre shtetas gjermanë).

Nga kontrolli i ushtruar nga shërbimet e policisë kufitare, në bagazhin e automjetit, në vendin e gomës rezervë u gjetën 30 doza me lëndë të dyshuar narkotike Cannabis Sattiva.

Si dhe nga kontrolli i ushtruar në vijën dytë i automjetit tip “Renault” me drejtues shtetasin H. D. dhe pasagjere shtetasen M. C., (shtetas francez), u gjetën 33 doza me lëndë të dyshuar narkotike Cannabis Sattiva.

Në përfundim të veprimeve të kryera nga specialistët për Hetimin  e Narkotikëve në DVP Gjirokastër u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit F. G., 25 vjeç, banues në Gjirokastër, si dhe  proceduan penalisht shtetasit V. K., 19 vjeç; L. L., 18 vjeç;

K. K., 19 vjeç, banues në Gjermani;

H. D., 32 vjeç dhe M. C., 40 vjeçe, banues në Francë.

Materialet i kaluan Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Gjirokastër për veprat penale “Trafikim i lëndëve narkotike” dhe “Prodhim dhe Shitje e lëndëve narkotike”.