Goditet grupi i trafikut të egjiptianëve nga Shqipëria drejt Italisë, 5 në pranga

policia vlore 1100x620

Policia e Vlorës ka goditur një rast të tentativës së kontrabandimit drejt Italisë, të emigrantëve nga vendet e treta dhe më konkretisht nga Egjipti.

Në operacionin policor të koduar “Bristan” u arrestuan 5 persona, si autorë të dyshuar në këtë veprimtari kriminale, ndërsa një tjetër u shpall në kërkim. Policia njofton se bëhet fjalë për: Klodian Gjikondaj, Mohamed Sherif, Fatjon Belaj, Robert  Hysa dhe Arjol Lleshi.

“Nga hetimet dhe provat e siguruara ka rezultuar se këta shtetas në bashkëpunim me njeri-tjetrin, kanë transportuar nga Tirana në qytetin e Vlorës 15 shtetas të huaj (egjiptian), duke i transportuar më pas në rrugë tokësore me automjet deri në qytetin e Orikumit, duke vijuar udhëtimin në këmbë deri në vendin e quajtur “Gjiri i Bristanit”, nga ky dyshohet se do të siguronin kalimin e tyre me mjete lundruese drejt Italisë, kundrejt shpërblimit monetar”, njofton policia.

Operacioni u zhvillua nga Drejtoria vendore e Policisë së Vlorës, në bashkëpunim me Drejtorinë Hetimore në DPPSH, Delta Force dhe Guardia di Finanza.

Vijon puna hetimore, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Vlorë, me qellim identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.