“Pandora Papers”, zbulohen parajsat fiskale ku të fuqishmit e botës fshehin pasurinë e tyre

Organizata për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (OECD) në një studim të vitit të kaluar, ka përllogaritur në rreth 11 trilionë dollarë shumën e parave të fshehura në kompani offshore, të vendosura në shtete të cilësuara si parajsa fiskale sepse pothuajse nuk paguhen taksa.  

Në disa raste, ky është një veprim i ligjshëm, në shumë raste të tjera bëhet fjalë për para me burim tejet të dyshimtë, dhe aty ku figurat janë disa nga liderët më të fuqishëm të botës, burimi mund të jetë vetë arka e shtetit.   

Kjo botën në dritëhije po zbardhet gjithmonë e më shumë nga dokumente të ndryshme që certifikojnë abuzimin me deklarimin e pasurisë të qindra miliarderëve, përfshirë sipërmarrës, yje të Holliwoodit ose politikanë të njohur, ose emra afër tyre.

Sot disa nga mediat më të rëndësishme ndërkombëtare, pas një studimi të gjatë kanë zbardhur disa nga rreth 11 milionë dokumentet që përbëjnë rrjedhjen më të gjerë të këtij lloji në histori, e cilësuar si “Pandora Papers”.

Nga të dhënat paraprake, duket e qartë që ekziston një rrjet ku të pasurit e botës fshehin një pjesë të mirë të aseteve të tyre në këto parajsa, duke shmangur jo vetëm taksat, por edhe justifikimet mbi pronësinë e tyre mbi këto asete.  

Ndërkohë që priten të dha të reja në ditët në vijim, po dalin emrat e parë të njohur, që mund të sjellin edhe një tërmet në politikën e disa vendeve. Disa fshehin nën emrin e kompanive, vila luksoze dhe jahte, të tjerë një koleksion arti, të tjerë përqindje në kompani të ndryshme.

Shuma më e lartë deri më tani i përket presidentit të Azerbajxhanit, Ilham Aliev, që ka blerë dhe shitur prona në Britaninë e Madhe me vlerë rreth 450 milionë euro, ndërkohë që mbreti Abdallah II i Jordanisë ka investuar në mënyrë sekrete rreth 100 milionë euro në prona nga Londra në Uashington.

Por ndërkohë që këto vende nuk janë totalisht demokratike dhe qeverisen në mënyrë autokratike nga liderët e tyre, habit fakti që në një vend të BE-së si Republika Ceke,  kryeministri i saj Andrej Babis, i cili ndodhet në fushatë zgjedhore, ka përdorur një kompani offshore për të blerë një kështjellë në Francë, me vlerë rreth 20 milionë euro.

Emra si ai i presidentit ukrainas Volodimir Zelensky dhe atij qipriot Nicos Anastasiades janë të pranishëm, ndërkohë që ai i Vladimir Putin mungon, por jo ai i disa prej personave të tij më të afërt, si Petr Kolbin, të cilësuar shpesh herë si emra që fshehin pasurinë përrallore të “carit” rus.

Ndërkohë roli i disa të tjerëve, si ai i ish-kryeministrit Tony Blair, duket ende i dyshimtë, dhe i paqartë midis asaj që është ligjore dhe jo.

Por gazetarët që po studiojnë letrat premtojnë që në javë t në vijim “Pandora Papers” do të jenë më të thelluara se vetë “Panama Papers” në vitin 2012.