Edhe një politikan shqiptar te “Pandora Papers”, zbulohen sekretet financiare të liderëve botërorë

Emrat e dhjetëra liderëve politikë, e po ashtu të personaliteteve në fusha të ndryshme, listohen mes atyre që kanë përdorur kompani jashtë vendit për të fshehur pasuritë. Në rrjedhën më të madhe të dokumenteve në histori, të pagëzuar si “Pandora Papers”, më shumë se 330 udhëheqës e ish-udhëheqës politikë identifikohen si përfitues të llogarive sekrete; mes të cilëve ish-kryeministri britanik Tony Blair, lideri çek Andrej Babis dhe bashkëpunëtorë të presidentit Putin.

Dokumentet ekspozojnë po ashtu presidentin e Malit të Zi, Milo Djukanovic, dhe djalin e tij, Bllazho, të cilët siç thuhet kanë nënshkruar marrëveshje të fshehta për menaxhimin e pasurisë në vitin 2012, duke u fshehur pas një rrjeti kompanish nga Mbretëria e Bashkuara, Zvicra, Ishujt e Virgjër Britanikë, Panamaja dhe Gjibraltari.

Sipas skandalit të zbuluara nga konsorciumi Ndërkombëtar i Gazetarëve Hulumtues, mes përfituesve është edhe një shqiptar, ende i paidentifikuar.

Në Serbi, organizata Krik, e cila po ashtu ka marrë pjesë në hetimet për Letrat e Pandorës, ka zbuluar se ministri i Financave, Sinisha Malli, është pronar i 24 apartamenteve luksoze në bregdetin bullgar.

Letrat e Pandorës e lidhin presidentin rus, Vladimir Putin, me asete sekrete në Monako, ndërsa për kryeministrin çek, Andrej Babis, thuhet se nuk ka deklaruar një kompani investimesh jashtë vendit, të cilën e ka përdorur për të blerë dy vila, në vlerë prej 16 milionë dollarësh, në jug të Francës.

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, sipas Letrave të Pandorës, i ka transferuar aksionet e tij në një kompani sekrete jashtë vendit, pak kohë para se t’i fitonte zgjedhjet e vitit 2019. Mbreti i Jordanisë, Abdullah, ka blerë fshehurazi prona në Mbretërinë e Bashkuar dhe në SHBA, me vlerë mbi 100 milionë dollarë. Gjithashtu, familja e presidentit të Kenias, Uhuru Keniata, që ka dominuar politikën vendase që prej pavarësisë zotëron prej dekadash një rrjet kompanish offshore. Në hulumtimin, që cilësohet si më i madhi në historinë e gazetarisë, kanë marrë pjesë mbi 600 gazetarë nga 150 media.