Marrëveshja për targat, opozita: Qeveria Kurti legjitimoi autoritetin serb në Kosovë

Partitë opozitare kritikojnë  marrëveshjen e arritur mes Kosovës dhe Serbisë për çështjen e targave, duke e quajtur atë si të dëmshme për interesat e vendit. Më këtë marrëveshje, sipas tyre, Qeveria Kurti po e njeh legjitimitetin e institucioneve të Serbisë në territorin e Kosovës. Shefi i grupit parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri, tha në seancën paralamentare të së hënës se ujdia e arritur në Bruksel legalizoi targat me akronimet e qyteteve të Kosovës, siç janë “KM”, “PZ” dhe “PR”, që lëshohen nga Ministria e Brendshme e Serbisë.

“Ky është dëmi më i madh që i keni bërë Kosovës. Për dy dekada nuk ka pasur marrëveshje më të dëmshme se sa kjo që sot e kemi. Për dy dekada, Serbia ka lëshuar targa që nuk janë njohur nga qeveria jonë. Dhe ajo arriti që me këtë marrëveshje t’i legalizonte targat “KM”, “PR”, “PZ”, e të tjera që i lëshon Serbia për qytetarët e Kosovës”, tha ai.

Shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi akuzoi qeverinë e Kosovës për legalizim të autoritetit të Serbisë në territorin e Kosovës.

“Ajo që po shohim ne sot është se kemi një marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë për tërheqjen e forcave policore të Kosovës nga veriu. Pse duhet qeveria të bëjë marrëveshje për t’u tërhequr nga pjesë e territorit të vet”, tha Gashi.

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, i cili njëherësh është edhe shef i delegacionit të Kosovës në dialogun me Serbinë, i ka quajtur të pavërteta dhe tendencioze deklaratat e shefave të grupeve parlamentare të dy partive opozitare, PDK dhe LDK.

“Marrëveshja u cilësua nga ju edhe si më e dëmshme se Zajendica (v.j. Asociacioni i komunave me shumicë serbe), më e dëmshme se Marrëveshja për energjinë e Marrëveshja për drejtësinë, më e dëmshme se bisedimet për ndarjen e Kosovës. Por, e vërteta është se kjo marrëveshje është krejt ndryshe nga ato paraprake. Ata të cilët marrëveshjet paraprake i shohin si të mira, nuk kanë si ta shohin këtë marrëveshje si jo të keqe. Ata të cilët marrëveshjet paraprake i shohin të këqija, nuk kanë si ta shohin këtë marrëveshje si të mirë”, u përgjigj Bislimi.

Ai tha se për herë të parë targat e Serbisë me përcaktime rajonale të Kosovës trajtohen si targa të paligjshme, pasi në qeveritë e kaluara ishin trajtuar si të Kosovës.