Open Balkan, PD e kundërshton në Kuvend, Kodheli i qeras me kafe

Pas gati 2 vitesh mungesë, komisioni për politikën e jashtme iu rikthye punës normalisht. Pavarësisht dasive politike deputetët duket se i kishte zënë malli për njëri-tjetrin. 

Mimi Kodheli: “Ju siguroj që ujin dhe kafen nuk ua paguan Parlamenti, por kryetarja për mirëseardhjen. Kështu që herë tjetër mendohuni mirë…

Tritan Shehu: “Radhën tjetër i ka Tomor Alizoti, nënkryetari”.

Mimi Kodheli: “Atë e dini ju. Por, shishet ne dikur s’i fusnim se gjuanim njëri-tjetrin, sot kanë ndryshuar gjërat”.

Fondet IPA të Brukselit i bënë deputetët e opozitës të spostonin diskutimet te “Open Balkan”.

“Kur IPA përfshin të gjitha këto pika kryesore, pse do t’i duhet Shqipërisë një nismë që vjen nga Novi Sadi”, tha Tomor Alizoti. “Open Balkan është as më shumë e as më pak, është modeli i ri, mbijetesa e fuqisë serbe në Ballkan, pas prishjes së ish-Jugosllavisë”, tha Kreshnik Çollaku.

Mazhoranca nuk pranoi debatin, por kishte një sugjerim. “Keni të gjithë të drejtën të kërkoni ministrin për Europën dhe Punët e Jashtme për të folur rreth Procesit të Berlinit dhe Ballkanit të Hapur”, tha Kodheli.

Gjatë komisionit, raportoi dhe kryenegociatori Zef Mazi, i cili përsëriti qëndrimin se Shqipëria i ka plotësuar të gjitha rekomandimet dhe kushtet për miratimin e kuadrit negociues.