Parlamenti me “Green Pass”, PS e PD dakord për certifikatën e vaksinimit

Në dakordësi të plotë Konferenca e Kryetarëve miratoi vendimin për vaksinimin e detyruar të deputetëve ose test PCR, si kusht për të marrë pjesë në punimet e Kuvendit. Akti kaloi me konsensus ndërmjet PS-së dhe PD-së. Dakordësia ishte aq e dukshme sa dy kryetarët e grupeve parlamentare plotësuan fjalët e njëri-tjetrit në deklaratat për mediat.

“Mbledhjet e komisioneve të përhershme parlamentare të bëhen ashtu siç rregullorja e parashikon. Me prezencë fizike natyrisht duke respektuar çdo lloj rregulli dhe protokollit të sigurisë anticovid”, tha Rushaj.

“Dhe në këtë aspekt pjesëmarrja në komisione do të jetë fizike, por me kushtet që çdo deputet të paraqesë certifikatën e vaksinimit ose një test”, shtoi Balla.

Pika që nuk gjeti dakordësi të plotë është ajo e komisioneve hetimore. Demokratët kanë depozituar tri kërkesa për tre hetime parlamentare. Socialistët nuk i mbyllën derën duke kërkuar më shumë kohë që të gjejnë konsensusin për objektet hetimore.

“Nuk kishte diskutime në lidhje me kufizimin e objektit hetimor. Ajo çka u ra dakord është që në seancën e datës 14 tetor, këto komisione të kalojnë në seancë plenare”, tha Rushaj.

“Ne do të fillojmë një proces diskutimi me opozitën parlamentare, për objektin e këtyre komisioneve për të synuar për të arritur një konsensus”, theksoi Balla.

Tri komisionet hetimore që kërkon opozita janë ai për të ashtuquajturën masakrën zgjedhore, çështja Bechetti dhe Inceneratorët.