“Rritja e çmimeve, përballje e fortë në parlament”, Pampuri: Do të thellojë varfërinë dhe luftën për mbijetesë

Rritja e çmimit të bukës, energjisë dhe karburanteve është një temë e fortë me të cilën do të përballet fort në parlament opozita me mazhorancën. Këtë deklaroi në studion e Ditari në A2 CNN, zëdhënësja e grupit parlamentar të PD-së Oriola Pampuri, një ditë pas paralajmërimit të kryeministrit Edi Rama për krizë të jashtëzakonshme të energjisë.

 Sipas Pampurit, deklarata e kryeministrit Rama përhapi panik te qytetarët dhe nuk dha argumenta se si do të përballohet kjo krizë.

“Nga dje ka lindur diskutimi që Rama i hapi rrugë për rritjen e çmimit të karburanteve dhe një kryeministër i përgjegjshëm nuk do të dilte dhe të përhapte panik, por do ta argumentonte sa do të jetë kriza? Afatshkurtër apo afatgjatë dhe sesi do ta përballonte qeveria në lidhje me shtresat në nevojë. Sa kryefamiljarë janë futur në burg se nuk kishin për të paguar energjinë elektrike dhe sot përballemi me rritje të çmimit të energjisë”.

Ajo theksoi se kjo do të çojë në varfëri ekstreme dhe në kushte mbijetese shtresat e mesme dhe të varfra, ndërsa do të favorizojë oligarkët dhe miqtë e Ramës.

“Rritja e çmimit të bukës dhe të çmimeve të shportës të gjitha këto të çojnë te varfëria ekstreme e qytetarëve. Oligarkët e Ramës nënfaturohen dhe nuk e paguajnë sa duhet këtë energji. Të gjitha këto kanë vetëm një grup që preken fort shtresa e varfër dhe e mesme. Kryeministri nuk jep zgjidhje, por përhap panik. Është një luftë për mbijetesë. Do të rritet më shumë nga ç’është sot. Në 8 vite çmimi i energjisë dhe karburanteve është rritur pastaj në shifra e  konvertojnë ekspertët”.

Për Pampurin kjo është një keqmenaxhim i qeverisë, pasi Shqipëria shet shumë lirë energji dhe blen shumë shtrenjtë kur i duhet. Ajo sugjeron se shpenzimet që bëhen për tendera mund t’i viheshin në dispozicion familjeve në nevojë.

“Kemi keqmenaxhim, se Shqipëria shet energji shumë lirë dhe kur i nevojitet e ble atë shumë shtrenjtë dhe kjo është një nga pikat e keqmenaxhimit. Jemi vend me resurse të jashtëzakonshme nuk duhet të kemi këtë lloj varfërie. Shpenzimet që bëhen për tendera mund të ishin në dispozicion për familje në nevojë”.