Shkollat “rinisin” mësimin. Kthehen orët e plota, problem janë ambientet dhe turnet

Nga kjo e hënë, nxënësit e shkollave 9-vjeçare dhe të mesme kthehen më orë mësimi të plota. Reagimi i prindërve me anë të një peticioni, bëri që Ministria e Arsimit të tërheqë vendimin për reduktimin e orëve.

Ndonëse orët u rikthyen më të plota, sërish në një pjesë të shkollave, turni i dytë është i pashmangshëm. Grupi i parë i nxënësve do të mësojnë nga ora 8 e mëngjesit deri në 12:20 të drekës, ndërsa grupi i dytë nga ora 12:30 deri në 16:30 të pasdites.

Nxënësit i gëzohen faktit të orëve të plota, pasi mësimi ishte i cunguar me skenarin e mëparshëm të ministrisë. Më të menaxhueshme e kanë ditën edhe prindërit e gjyshërit që shoqërojnë fëmijët në shkolla.

Eksperti i Arsimit e sheh problemin e shkollave në një tjetër këndvështrim. “Ne kemi klasa me 37 nxënës, a mund të ketë mësim cilësor me 37-40 nxënës? Ne nuk kemi nga Ministria e Arsimit një buxhet anti-Covid. A mund të rekrutonim mësues për turnin e dytë që të mos ketë mbilodhje?”, tha Ndriçim Mehmeti në studion e Ditarit në A2.

Megjithëse, Ministria u tërhoq, sërish firmat e mbledhura nga prindërit do të dorëzohen në këtë institucion me një mesazh, që mësimi duhet të zhvillohet normalisht. Për gati dy ditë, rreth 1500 prindër në kryeqytet firmosën kundër mësimit me turne dhe orëve të shkurtuara, teksa nisma është përhapur edhe në qytete të tjera të Shqipërisë.