Vdes në një aksident me makinë njeriu që realizoi një karikaturë të profetit Muhamed

Vdes ne nje aksident me makine njeriu qe realizoi nje karikature te profetit Muhamed 1100x620

Një karikaturist suedez, i cili realizoi një karikaturë të profetit Muhamed, ku kokën e tij e kishte lidhur me trupin e një qeni, ka humbur jetën në një aksident me makinë, raportuan mediat lokale.

Lars Vilks raportohet se po udhëtonte me një makinë civile të policisë, që u përplas me një kamion pranë qytetit Markaryd në jug të Suedisë. Në aksident humbën jetën edhe dy efektivë policie, ndërsa shoferi i kamionit mbeti i plagosur.

75-vjeçari jetonte nën mbrojtjen e policisë, pasi ishte kërcënuar me vdekje për shkak të karikaturës, së publikuar në vitin 2007. Myslimanët e quajnë blasfemi portretizimin e profetit Muhamed dhe shumë besimtarë në të gjithë botën shprehën indinjatën e tyre për veprën e Vilks.

Policia tha se ishte ende e paqartë dinamika e aksidentit, por konfirmoi se nuk ka asnjë indicie që të ngrejë dyshime për ndonjë atentat të organizuar kundër Vilks, ose për përfshirjen e personave të tjerë në aksident.

Pas publikimit të karikaturës, kryeministri i atëhershëm suedez, Fredrik Reinfeldt, u takua me ambasadorët e 22 shteteve myslimanë, në përpjekje për të ulur tensionet e krijuara.

Më pas, Al Qaeda në Irak ofroi 100 mijë dollarë shpërblim për vrasjen e Vilks. Në vitin 2015, ai mori pjesë në një debat për lirinë e fjalës në Kopenhagen, Danimarkë, kur u sulmua nga persona të armatosur. Gjatë sulmit mbeti i vrarë një regjisor.