Avioni i rrëzuar në Vermosh, dëshmia e banorit për A2 CNN: Më thanë “Ik që këtu, mos u afro”

Avioni i vogël Piper i rrëzuar të hënën në Vermosh të Malësisë së Madhe, ndodhet ende aty. Një natë më parë, A2 CNN ndoqi edhe ekspertizën e oficerëve të Policisë, pas së cilës nuk u gjet asnjë gjurmë. Por pikërisht mënyra sesi dy personat që ndodheshin brenda në avion kanë arritur të heqin gjurmët, dhe mënyra sesi kanë kërcënuar banorët që u janë afruar për ndihmë, lë të dyshohet se bëhet fjalë për një përpjekje për transport të lëndëve narkotike.

Një banor i zonës tregoi për A2 CNN atë që kishte parë. “Avioni erdhi u fut nga Vermoshi, qëndroi atje lart në kodër. U çua nga atje dhe erdhi e u rrëzua këtu (në fushë). Pas gjysmë ore u çua dhe u rrëzua. Unë shkova për ndihmë, por nuk më lanë të afrohesha. Më thanë “Largohu shpejt!”. Mendova se janë policë, se po të ishin të tjerë nuk isha afruar. Më thanë “Ik që këtu, mos u afro”. Ishin 3 vetë. Qëndruan shumë aty”, tha ai.

Dyshohet që avioni është futur nga Mali i Zi, por Policia po kërkon informacion edhe nga Aviacioni Civil, si dhe nga Kosova. Ndërsa dy personat në avion mbeten të paidentifikuar, sikurse edhe personi i tretë që i ka marrë me makinë.