Biden bisedon me Von der Leyen, shpreh mbështetjen e fortë për integrimin e Ballkanit Perëndimor

BIDEN BALLKANISAMITI BE frame 0 1100x620

Presidenti amerikan, Joe Biden, shprehu mbështetjen e fortë për integrimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian. Perspektiva europiane e rajonit, u diskutua gjatë një telefonate që numri një i Uashingtonit zhvilloi me presidenten e Komisionit Europian, Ursula Von Der Leyen.

Të dy udhëheqësit diskutuan edhe për bashkëpunimin SHBA-BE, pandeminë e COVID-19, si dhe krizën klimatike. Deklarata vjen një ditë para mbajtjes së samitit mes liderëve të Bashkimit Evropian dhe udhëheqësve të rajonit, në Berdo të Sllovenisë.

Sipas burimeve diplomatike në Bruksel, të gjitha 27 vendet anëtare të BE-së janë pajtuar me tekstin e draft-deklaratës që do të miratohet në këtë samit.

Në të thuhet se liderët e BE-së përshëndesin përkushtimin e partnerëve nga Ballkani Perëndimor ndaj perspektivës evropiane, që sipas këtij dokumenti, “është në interes strategjik dhe mbetet një zgjedhje e përbashkët strategjike”.